McIlwham: Anëtarësimi në BE varet nga vizioni juaj
Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Tiranë, Fiona McIlwham,
deklaroi dje se Shqipëria duhet të ketë vizion për të kryer reformat e nevojshme që të ecë përpara në BE. Në një fjalim të mbajtur me hapjen e ekspozitës BE-Kulture të projektit “Culture Lobby” të Këshillit Britanik me vendet e Ballkanit Perëndimor”, ambasadorja britanike tha se “që ky projekt anëtarësimi të funksionojë duhet të stimulojë jo vetëm imagjinatën e politikanëve, por kryesisht të njerëzve të zakonshëm, veçanërisht të të rinjve. Ambicia, reforma dhe vizioni duhet të jenë një program ‘shqiptar’, jo një listë gjërash e imponuar nga të huajt”. “Ekziston rreziku që në vorbullën e përditshme mediatike, BE-ja të bëhet vetëm një nëntitull, një fletëkalim, një vizë, apo diçka abstrakte për të cilën politikanët shqetësohen. Në fakt, është shumë më shumë se kaq. Në fjalën e saj, diplomatja kryesore e Mbretërisë së Bashkuar theksoi se “nuk është sekret që ne - britanikët kemi një marrëdhënie komplekse me Europën kontinentale. Si ishullarë, ne e mbrojmë fort identitetin dhe historinë tonë të veçantë. Marrëdhëniet britanike kanë evoluar dhe kanë ndryshuar gjatë 30 e më shumë viteve të anëtarësimit. Por asnjëherë nuk është kontestuar vlera e anëtarësimit në Bashkimin Europian”. Sipas përfaqësueses së Madhërisë së saj, Mbretëresha Elizabet në Tiranë “qeveria e re britanike e ka bërë shumë të qartë se është e angazhuar të jetë aktive dhe një lojtare dinamike në Bashkimin Europian”.