E Diel, 1 Nëntor 2026

Me 62 vota, Behxhet Pacolli zgjidhet Presidenti i ri i Kosovës

23/02/2011  Kuvendit të Kosovës iu desh të përballej me trigjaunde votimesh

Behxhet Pacolli është zgjedhur dje Presidenti i Republikës së Kosovës. Pas dështimit në dy raundet e para, ku nevojiteshin 81 vota, Pacolli ka marrë 62 vota, në raundin e tretë të votimit të fshehtë për Presidentin e Kosovës. Në këtë votim morën pjesë 67 deputetë. Për Pacollin votuan pro 62 deputetë, katër votuan kundër dhe 1 deputet abstenoi. Në raundin e parë të votimit nga 67 deputetë të pranishëm në sallë u arritën të siguroheshin vetëm 54 vota, nga 81 votat e nevojshme që parashikon Kushtetuta. Po ashtu dhe në raundin e dytë ndodhi e njëjta gjë, por këtë herë votuan pro tij 58 deputetë, sërish larg numri prej 81 votash, ndërsa në votimin e tretë, i cili parashikon shumicë të thjeshtë prej 61 votash, Pacolli arriti numrin e 62 votave, duke qenë sërish larg votave të një presidenti të gjithëpranuar. Ndërkohë Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja për Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë bojkotuar votimin e Behgjet Pacollit për President të Kosovës. Pas largimit të deputetëve të tri partive, tashmë kanë mbetur në sallën e Kuvendit të Kosovës 67 deputetë, dhe për zgjedhjen e Presidentit duhen në raundet e para 81 dhe në të tretin plot 61 vota. Kreu i grupit të LDK-së, Ismet Beqiri, e argumentoi këtë bojkot me fatin se LDK nuk i njeh zgjedhjet e 12 dhjetorit, duke i cilësuar ato si të manipuluara. LDK e cilësoi koalicionin qeveritar si jolegjitim, duke theksuar se ai nuk u formua mbi interesat e popullit. Ndërkohë edhe deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, e cilësoi kandidaturën e Pacollit si të papërshtatshme për të drejtuar Presidencën e Kosovës. Edhe përfaqësuesi i AAk-së nënvizoi se AAK nuk do ta votojë Pacollin si President, duke theksuar papajtueshmërinë me këtë kandidaturë.

Deklarata e Fajon

Kërkesat e shumta për azil, mund të kthejnë vizat për Serbinë

Raportuesja e Parlamentit Evropian për regjimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, Tanja Fajon, ka pohuar se ekziston mundësia që për ndonjë nga vendet e rajonit të Ballkanit sërish të aplikohen vizat. Paralajmërimi konkret ishte për Serbinë, pasi sipas lajmërimeve nga Brukseli, është shtuar së tepërmi numri i azilantkërkuesve nga ky vend. Por Fajon në një intervistë për "Veçernje novosti" të Beogradit, ka shtuar në fjalën e saj dhe rajonin e e Ballkanit. Ajo citohet të ketë thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të trajtojnë seriozisht përmbushjen e detyrimeve, sidomos çështjen e azilantëve të rremë, për të shmangur këtë pasojë. "Komisioni Evropian në fillim të këtij viti ka aplikuar një mekanizëm të posaçëm, me të cilin do të përcjellë se çpo ndodh në lidhje me liberalizimin e vizave. Në rast të shkeljes serioze, vendet anëtare mund të kërkojnë vënien e Serbisë apo të ndonjë vendi tjetër në listën e zezë. Kjo mundësi ekziston dhe druaj se pa përgjegjshmëri serioze të qeverisë së Beogradit dhe të qytetarëve, kjo procedurë e kthimit të vizave do të jetë edhe më e shkurtër, sepse disa vende si Franca dhe Holanda synojnë ta përshpejtojnë këtë procedurë", është shprehur Fajon në një intervistë për "Veçernje novosti" të Beogradit. Ndërkohë, sipas një prononcimi të ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, është bërë e ditur se nga ana e shqiptarëve ka qenë zero numri i atyre që kanë kërkuar azil në vendet e Shengenit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›