E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me pak diplomate Turdiu Rrit kostot ne mes te vitit

Reduktimi i parave për pjesën e mbetur të vitit, detyron Ministrinë e Jashtme të shkurtojë personelin diplomatik.

Gërshëra e Ministrisë së Financave i ka hequr këtij dikasteri, 100 milionë lekë duke bërë që sytë të drejtohen tek stafi i ambasadave dhe konsullatave tona jashtë vendit.

“Kur ua kemi çuar përfaqësive ua kemi dërguar: qera, paga, shpenzime për sigurimet shëndetsore dhe kanë nga 2 mijë $ për telefon, 3 mijë për karburant, internet e nuk e di çfarë tjetër, që ne do t’i shkurtojmë. Nuk di çfarë të heq. Do të ketë padyshim shkurtime personeli”-thotë Ilda Bega, drejtoreshë ekonomike në Mininstrinë e Jashtme.

Por sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme, shkurtimi i personelit në mes të vitit, nuk do të ishte një veprim i zgjuar pasi do të rriste dhe më shumë kostot. Reduktimi i stafit do të ishte më i përshtatshëm vitin e ardhshëm.

“Çdo masë që ne mund të marrim me shkurtime në personel, nëse do të ishte e nevojshme efektin do ta ketë vitin që vjen sepse ne detyrohemi të paguajmë një kontratë e cila duhet të ndërpritet me të paktën 3 muaj njoftim paraprak. Gjithashtu edhe kthimi i personelit në Shqipëri lidhet me shpenzime. Nëse do të kishte rishikime në raport me përfaqësitë diplomatike, atëherë efekti do të ishte patjetër në 2012-ën. Këtë vit, në rastin më të mirë minimal”-tha Turdiu.

Fondi për pagat e shpenzimet e diplomatëve akordohet nga Buxheti i Shtetit në lek.  Vetëm nga kursi i këmbimit, Ministria e Jashtme humb 100 milionë lek në vit. Shifër kjo e barabartë me shkurtimin që po i bëhet nga Ministria e Financave.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›