Mediat e huaja pasqyrojnë shitjen e “Albpetrol”

Grupi “Vetroenergy” fiton tenderin për blerjen e Albpetrol
Mediat e huaja kanë pasqyruar shitjen e kompanisë shtetërore “Albpetrol” me anë të një tenderi dhe blerjen e saj për shifrën e 850 milion eurove nga konsorciumi “Vetro Energy”. Asociated Press, Uashington Post, Financial Times dhe Yahoo Neës, shkruajnë në sektorin e tyre të financës se Shqipëria ka shitur kompaninë e saj shtetërore për 850 milion euro (1 miliard dollarë).
Në shkrim citohet dhe fjala e kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, i cili është shprehur se sipas marrëveshjes, kompanisë “Vetro Energy” i lejohet të eksplorojë dhe të kërkojë për gaz natyral dhe naftë, të ndërtojë një rafineri si dhe të transportojë dhe shpërndajë gaz natyral në Shqipëri për 25 vjet. Dy ditë më parë ishte Banka Botërore e cila vlerësoi privatizimin e kompanisë “Albpetrol”, duke e cilësuar një mundësi të artë që Shqipëria të ulë defiçitin dhe stokun e borxhit.
Drejtoresha e Bankës Botërore, për Evropën Juglindore, Jane Armitage deklaroi se “privatizimi i “Albpetrolit”, i ofron vendit një mundësi të jashtëzakonshme për të përdorur këto fonde, së pari dhe mbi të gjitha për të paguar disa detyrime të grumbulluara me kalimin e kohës”.
“Kjo është e vërtetë për Shqipërinë dhe për shumë vende të tjera. Është shumë e rëndësishme për sektorin privat që të paguhen detyrimet e mbledhura gjatë dy vjetëve të fundit në mënyrë që të rifinancohen dhe të shpërblehen për shërbimet e kërkuara nga qeveria. Së dyti, ky privatizim i “Albpetrolit” është një rast unik që duhet përdorur për të ulur deficitin dhe stokun e borxheve”, u shpreh ajo.
Marrëveshja për privatizimin e “Albpetrol” u nënshkrua të mërkurën e kaluar pas një procesi tenderimi. Tashmë pritet që marrëveshja të kalojë në Kuvend për ratifikim, për të nisur më pas procedurat e disbursimit të të ardhurave të shumës së ofertuar. “Albpetrol” me bazë në Patos (Fier), 120 kilometra në jug të Tiranës, ka vlerësuar asetet e tij me një vlerë prej 320 milion eurosh. Asetet përfshijnë gjashtë fusha nafte, katër fusha gazi si dhe 3 mijë puse nafte nga të cilat 1200 janë aktive. Kompania prodhon të paktën 135 mijë ton naftë vit dhe ka të punësuar rreth 4 mijë persona.