E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: Të realizojmë ëndrrën dhe qëllimin tonë

10/06/2009  Republikanët në Tiranë

“Partia Republikane do të prezantohet me njerëzit më të mirë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit për Qarkun e Tiranës” - kështu ka deklaruar kryetari i PR-së Fatmir Mediu gjatë hapjes zyrtare të fushatës elektorale për këtë qark. Kryerepublikani kërkoi që të gjithë të votojnë për mazhorancën e djathtë për të bërë realitet projektet e tyre. “Ju ftoj në datë 28 qershor të shkojmë të gjithë në votime, të realizojmë ëndrrën dhe qëllimin tonë parlamentar, i cili pa dyshim do të jetë kontributi më serioz në parlament dhe qeverisje, së bashku me demokratët për të ndërtuar Shqipërinë europiane për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët të kombit shqiptar «Sot në NATO, nesër në BE»”, - nënvizoi Mediu. Duke bërë një analizë të qeverisjes së vendit në katër vjetët e fundit, ai tha se koalicioni i djathtë, pjesë e të cilit është edhe PR-ja, tregoi se di t’i mbajë premtimet dhe se i kthen ato në realitet. “Ne arritëm të anëtarësohemi në NATO, reformuam dhe investuam në shumë sektorë, sektorë të cilët i shihnim me prioritet, pasi të tillë ishin për të gjithë shqiptarët. Ne po ndërmarrim angazhime të reja, nuk do të ndalemi këtu. Rruga jonë është e gjatë, pa kthim pas, një dhe e vetme: drejt Bashkimit Europian”, - tha kreu i republikanëve. Mediu deklaroi se duke votuar për PR-në, shqiptarët do të përjetojnë suksese të tjera, të cilat do vijojnë ato që janë arritur deri tani dhe do të bëjnë historinë e Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›