E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria gënjeu shqiptarët, jepni fund me votë”

10/06/2009  Ruçi, Meksi e Lutaj në Hekal

Kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi, Ermelinda Meksi e Piro Lutaj, janë takuar me banorë të fshatit Hekal, në Mallakastër, në kuadër të prezantimit të programit të ri qeverisës. Gjatë fjalës së tyre përfaqësuesit socialistë nuk kanë kursyer kritikat ndaj qeverisë “Berisha”. Kështu, duke u ndalur tek lëvizja e lirë e shqiptarëve, kandidatja për deputete e PS-së, Meksi gjatë fjalës së saj në këtë takim vuri theksin në faktin se “kjo qeveri detyroi me paaftësinë e saj shqiptarët që edhe për fqinjët si Maqedoni e Mali i Zi të marrin viza, pasi vetëm Shqipëria mbeti prapa për shkak të keqqeverisjes”. Nga ana e tij, drejtuesi i ekipit që garon për selinë rozë në qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi shigjetoi ashpër qeverisjen aktuale, pasi sipas tij, prej 4 vitesh janë lënë në mëshirë të fatit nga ana e kësaj qeverie njerëzit që jetojnë në fshat. “Ti japim fund një pushteti që prej kohësh nuk ka punë me popullin e vet që duhet ti japë llogari, për nderet që iu bën Fazlliçëve me shokë, por njëkohësisht për telashet që i ka bërë popullit të vet, që duhet ti japë llogari me votë moralisht, politikisht, administrativisht dhe pse jo penalisht. Ti japim fund një pushteti që gënjen, një pushteti që mashtron, një pushteti që vret e pret, një pushtet që ka vetëm një emër, të një njeriu të vetëm, atë të Sali Berishës, që ka një fytyrë të vetme, përsëri të të njëjtit njeri, të Sali Berishës”, vlerësoi Ruçi, gjatë fjalës së rij në këtë takim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›