E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksi: Lëvizje për të mbuluar shpenzimet e fushatës

17/07/2009  PS kritika rreth vendimit të qeverisë “Berisha” për rritjen e akcizës

“Deficiti buxhetor është rritur për çdo muaj. Shpenzimet buxhetore janë rritur me 33%”

Qeveria “Berisha” sërish nën kritikat e kampit rozë, e kësaj radhe për vendimet më të fundit të miratuara nga ekzekutivi. Ndryshe nga ditë e tjera, ku nga PS-ja vinin vetëm deklarata mbi procesin zgjedhor, dje përfaqësuesit socialistë zgjodhën të komunikojnë me publikun për një tjetër çështje, që lidhet pikërisht me vendimin e qeverisë për ngritjen e akcizës për disa mallra të caktuara si dhe rritjen indirekte të taksave doganore për mallrat që nuk vijnë nga vendet e Bashkimit Europian, e kryesisht nga Kina nëpërmjet ndryshimit të mënyrës së zhdoganimit. Anëtarja e kryesisë së PS-së Ermelinda Meksi në një komunikim me mediet u shpreh se “tërheqim vëmendjen për kohën, pasi duhen më shumë se dy muaj të mblidhet Parlamenti, që do të ratifikojë këtë ndryshim, por dhe mungesën e transparencës për këtë ndryshim fiskal, që do të ketë pasoja tepër negative për bizneset e konsumatorët në vend”. Sipas saj, në kundërshtim me standardin e transparencës në vendimmarrje dhe komunikimit me biznesin, një lëvizje e tillë në drejtimin e gabuar bëhet në kushtet e mungesës së plotë të komunikimit me Këshillin Konsultativ të Biznesit, siç detyron ligji respektiv dhe aktorët e tjerë të rëndësishëm që mbrojnë interesat e sektorit privat në vend. Kandidatja për deputete e PS-së nuk kurseu kritikat mbi një lëvizje të tillë. “Duket qartësisht se kjo lëvizje bëhet për nevoja të ngutshme. PS-ja me kohë ka deklaruar atë që tashmë është e qartë për të gjithë: babëzia elektorale e Partisë Demokratike me fushatën e stërzgjatur dhe faturën e shtrenjtë që ajo solli do të paguhet nga bizneset e ligjshme dhe qytetarët e thjeshtë të këtij vendi”, - vuri në dukje Meksi. Meksi tha se një gjë të tillë selia rozë e ka paralajmëruar prej kohësh. “Partia Socialiste e ka pasur të qartë dhe ka paralajmëruar prej kohësh rreziqet që vinin nga marrëzia e madhështisë së fushatës elektorale qeveritare, ku shpenzimet rriteshin në mënyrë paradoksale në krahasim me të ardhurat në buxhet. Për fat të keq, ky skenar shpenzimesh kryhej dhe vazhdon akoma në kuadrin e diskutimeve qesharake mbi shifrat e rritjes ekonomike dhe mohimit kokëfortë të realitetit ekonomik”, - nënvizoi Meksi. Po kështu, duke i mëshuar me forcë një çështjeje të tillë, anëtarja e kryesisë së PS-së u shpreh se “deficiti buxhetor është rritur nga një muaj në tjetrin: nga 3.7 miliardë në mars në 9.8 miliardë në prill, 20.2 miliardë në maj. Sipas të dhënave për pesëmujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar shpenzimet buxhetore janë rritur me 33 %, ku investimet janë shtuar si asnjëherë me 135%, ndërsa të ardhurat buxhetore vetëm me 8.9%”. Sipas saj, cilido qeveritar i përgjegjshëm do ta kishte të vështirë të tregohej euforik ndaj këtyre të dhënave shqetësuese, që kanë sjellë rritjen e deficitit buxhetor si pesëmujor në minus 20.2 miliardë lekë përkundrejt suficitit prej plus 5,9 miliardë që ishte një vit më parë si pesëmujor.

Konstatimi

“Fenomeni i uljes së depozitave, sidomos mungesa e likuiditetit, i cili, po tu referohemi shifrave në vitin 2009, kundrejt vitit 2008, është ulur në nivelin 12 miliard lekë, gjë që ka shpënë në uljen e kreditimit në 21 miliardë lekë kundrejt kreditimit prej 32 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pra, ulja e depozitave, që vjen si rrjedhojë e faktorëve të një realiteti ekonomik, ndryshe nga ai që supozohet, ka sjellë uljen e gjeneratorit kryesor të zhvillimit ekonomik, që është kreditimi.”

Kritika

“Arroganca e qeverisë dhe kryeministrit në detyrë në një vendimmarrje të tillë shpërfill dhimbshëm interesat ekonomike të bizneseve dhe konsumatorëve, që në të njëjtën kohë duhet të përballen me krizën ekonomike, duke goditur kështu më rëndë dhe në mënyrë krejt të papritur ata që duhej ti mbështeste me politika lehtësuese. Vërejmë me keqardhje se demagogjia elektorale u vërtetua të jetë e tillë vetëm disa ditë pas 28 qershorit. Këto veprime kanë efekt psikologjik tepër negativ e demoralizues për biznesin.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›