E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasioni i Trojaneve, në skenën e Butrintit

Në Parkun Arkeologjik të Butrintit, do të shfaqet në datën 12 korrik spektakli Pasioni i Trojaneve i Cantieri Teatrali Koreja-Qendër Inovacioni e Salentos, nën organizimin e Institutit Italian të Kulturës në kuadër të edicionit të 10-të të Festivalit të Teatrit Butrinti 2000. Pasioni i Trojaneve, me regji te Antonio Pizzicato dhe Salvatore Tramacere, është një prodhim Kantieret Teatral Koreja-Qendër Inovacioni e Salentos, një e mesme ndërmjet spektaklit dhe koncertit, ku aktorët dhe muzikantët ndërlidhin një tragjedi antike, Trojanet e Euripidit, me ritet dhe ndikimin e pasionit kristian. Në veçanti ata ripërpunojnë traditën e vajtimit të të vdekurve, tashmë pothuaj të zhdukur, vajtimet rituale të grave të Greqisë salentine, rreth trupit të të vdekurit, dhe i bashkojnë me vajtimet për vdekjen e Krishtit të Shën Marisë dhe të grave pie të asimiluara me gratë trojane, të cilat me humbjen e Akejve vajtojnë për humbjen e personave më të dashur. Një vuajtje e papërshkueshme e pushton Ekuben, Kasandrën dhe mbi të gjitha Andromakën, që përjeton në fillim humbjen e burrit, Hektorit e më pas të djalit, Astinati, tragjedi që të sjellë ndër mend kryqëzimin e Krishtit, vajtimi i Andromakës i përngjan kështu atij të Virgjëreshës në një dhimbje të vetme të madhe, që është ajo e të gjitha nënave të detyruara nga fati i tmerrshëm për të humbur fëmijët e tyre. Kantieret Teatral Koreja-Qendër Inovacioni e Salentos e kanë qendrën në Leçe dhe eksperienca e gjatë e aktiviteteve të tyre përfshin prodhim të spektakleve teatrale, në turne të ndryshme brenda dhe jashtë Italisë, promovimin e festivaleve, punë kërkimore, eduli dhe pedagogji teatrale. Interpretuesit e Pasioni i Trojanëve do të jenë Silvia Ricciardelli, Fabrizio Saccomanno, Emanuela Gabrieli, Vito De Lorenzi, Ninfa Giannuzzi, Admir Shkurtaj, Riccardo Marconi, Alessandra Crocco, Fabio Tinella. E ndërkohë që 10 vitet e festivalit të teatrit antik janë përmbledhur në një katalog luksoz të botuar nga organizatorët e festivalit Butrinti 2000 me rastin e jubileut të krijimit të këtij eventi kulturor. 1900 artistë të ngjitur në skenën antike dhe gati 40 mijë spektatorë që në këto 10 vite kanë shijuar dramat dhe tragjeditë e konsumuara në magjinë e teatrit. Tashme Butrinti renditet në axhendën e festivaleve europiane të teatrit me një gjeografi pjesëmarrjeje trupash profesioniste të shtrire në të 5 kontinentet që nga vendet fqinje të rajonit e deri nga Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina. Regjisorë dhe aktorë që kanë dhënë shumë në skenë dhe kane marrë po kaq përjetime nga Butrinti, duke i shërbyer kështu jo vetëm ballafaqimit teatror, por dhe promovimit të turizmit kulturor. Edicioni i 10-të i këtij festivali starton më 11 korrik dhe në këtë jubile të skenës antike do të ngjiten dhe trupat nga Kosova, Greqia, Turqia dhe një bashkëprodhim franko-rumun.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›