Merr 2 mijë Euro nga shtëpia, arratiset me të dashurin
Largohet nga shtëpia një 14-vjeçare korçare, gjendet nga Policia e Fierit. Minorenia ishte “zhdukur” prej dy ditësh, ndërsa është gjetur mbrëmjen vonë të së dielës në qytetin e Fierit. Ajo ishte larguar me një djalë nga Korça, por që e ka braktisur sapo kanë harxhuar shumën e madhe të eurove që e mitura kishte marrë fshehurazi nga shtëpia e saj. T. Hoxhaj është larguar mëngjesin e së premtes nga shtëpia, duke u thënë prindërve se do të shkonte tek gjyshja. Ka qenë ora 07:00 e mëngjesit të së premtes, kur 14-vjeçarja pasi është veshur me xhinse, atlete dhe një bluzë sportive, ka dalë nga shtëpia duke i thënë së ëmës se do të shkonte për vizitë tek gjyshja. Por rreth orës 10:00 të po asaj dite, prindërit kanë konstatuar largimin e vajzës në drejtim të paditur, kur nuk e kanë gjetur atë tek shtëpia e gjyshes. Për faktin se telefoni celular i vajzës rezultonte i hapur duket se të afërmit nuk janë shqetësuar për ikjen e saj, por kur kanë pritur që ajo të kthehej. Pas më shumë se 24 orëve, të afërmit i janë drejtuar policisë lokale për ndihmë. Sipas familjarëve të 14-vjeçares ata kanë konstatuar në shtëpi mungesën e një shume prej 2000 eurosh. 14-vjeçarja nga Korça është shpallur e zhdukur nga familjarët mesditën e së shtunës, ndërkohë që mbrëmjen e së dielës ajo ka telefonuar në shtëpi dhe ka treguar se ku ndodhej. Vajza, sipas të afërmve, nuk ka qenë problematike dhe nuk ishte larguar më parë nga banesa. I vetmi problem ka qenë mbarëvajtja në mësime, pasi 14-vjeçarja ishte ende në klasë të gjashtë, për shkak se kishte ngelur në klasë dy herë. Nga ana tjetër vajza mësohet se prej një muaji nuk e frekuentonte shkollën.
#