Mesiç: Nuk shoh arsye për zemërimin e Tadiçit
“Presidenti serb do të bënte mirë të vinte me mua në Kosovë”
Presidenti i Republikës së Kroacisë, Stipe Mesiç, që ditët e fundit vizitoi Kosovën, ku midis të tjerave, deklaroi se ajo (Kosova) është tashmë një realitet i pamohueshëm dhe se Beogradi, herët ose vonë, do të detyrohet ta njohë atë, duke ngjallur reagime mjaft të ashpra në kreun shtetëror të Serbisë, vuri në dukje se nuk sheh ndonjë arsye për zemërimin e Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, për shkak të vizitës së tij në Kosovë, duke pasur parasysh se ajo pritej nga qytetarët kosovarë, pjesëtarët e kontingjentit ushtarak kroat në përbërje të KFOR-it dhe përfaqësuesit e pakicës kroate në Kosovë. “Do ta përshëndesja Tadiçin në rast se do të kishte ardhur me mua në Kosovë dhe në rast se do të kishim biseduar së bashku me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe qytetarët që na pritën atje”, deklaroi Mesiçi pas reagimeve të ashpra të Tadiçit dhe autoriteteve të tjera të larta serbe që e konsideruan vizitën e Presidentit kroat në Kosovë si një provokacion antiserb të radhës në serinë e tyre të gjatë dhe si një të tillë që keqëson më tej marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kroacisë.
Reagimet
Vizita e fundit e Presidentit të Republikës së Kroacisë, Stipe Mesiç, në Kosovë dhe deklaratat e tij në Prishtinë, sidomos fjalimi para deputetëve në Kuvend, se Kosova është një realitet i ri në rajon, se Beogradi zyrtar nuk ka pse i ushqen me iluzione të gënjeshtërta serbët për statusin e saj, se ai (Beogradi), herët ose vonë, do të jetë i detyruar ta njohë Kosovën dhe sidomos fakti që ai bëri thirrje që të gjithë vendet ta njohin shtetin e ri, u pritën ashpër nga autoritetet e larta shtetërore të Serbisë që i konsideruan ato provokuese dhe të tilla që i hedhin benzinë zjarrit të ndezur lidhur me këtë çështje dhe keqësojnë më tej marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kroacisë. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, vuri në dukje se “vizita e Mesiçit në Prishtinë u shtohet veprimeve të tjera, me anën e të cilëve ai, në një mënyrë mjaft të efektshme, po prish kohët e fundit marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kroacisë, duke i lënë një barrë të rëndë dhe të panevojshme trashëgimtarit të tij”. Goran Bogdanoviç, ministër në të ashtuquajturën “Ministri për Kosovën dhe Metohinë” në qeverinë e Serbisë, i deklaroi dje gazetës së përditshme serbe “Kurir” se “është e papërshtatshme që një qëndrim i tillë vjen nga Presidenti i një shteti, me të cilin ne pretendojmë se kemi marrëdhënie të mira dhe se kjo nuk është gjë tjetër veçse një provokacion i radhës në serinë e gjatë të tyre”. Randel Nojkiç, përfaqësues i serbëve të Kosovës, vuri në dukje se me gjestin e tij, Mesiçi tregoi edhe një herë tjetër fytyrën e tij të vërtetë. “Duke i shtuar ato që ai ka bërë më përpara, ai tregoi edhe një herë tjetër konsideratën e tij për serbët”, tha ai.
#