E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Do zhdukim krizën

Tiranë -Kryetari i LSI z.Ilir Meta zhvilloi disa takime me qytetarë në njësitë bashkiake të Tiranës, nga ku ka prezantuar kandidatët për deputetë të LSI në Tiranë dhe Planin për Veprim të saj, që do të nxjerrë vendin nga kriza, duke e ndarë njëherë e mirë me varfërinë dhe papunësinë. “LSI jo vetëm është sot alternativa, që ju ofron shqiptarëve të thjeshtë programin më realist dhe më konkret që i nxjerr nga kriza dhe nga varfëria, por është alternativa që e fut Shqipërinë në një rrugë të padiskutueshme të zhvillimit dhe integrimit”-tha Meta.

Kreu i LSI tha se në 28 Qershor shqiptarët do të votojnë për LSI se e kuptojnë që vetëm kjo forcë politike mund t’i nxjerrë nga kriza ekonomike dhe sociale e mbi të gjitha nga kriza e besimit që ofrojnë alternativat e vjetra, me në krye alternativën më të vjetër që përfaqëson vetëm kryeministri në largim Sali Berisha.

“Vendi ka nevojë për një lidership të provuar, sepse po kalon një situatë krize ekonomike, e cila mund të thellohet edhe më tej dhe unë jam i bindur se Tirana dhe e gjithë Shqipëria, do të votojë për LSI dhe Ilir Metën, sepse nuk mund t’i zgjidhin hallet dhe shqetësimet e shqiptarëve të thjeshtë politikanë që janë mësuar vetëm të fitojnë nga politika, por që nuk sakrifikojnë dot, nuk rrezikojnë dot, sepse nuk besojnë në radhë të parë tek sakrifica që kërkon politika në shërbim të njerëzve dhe tek sakrifica që kërkon politika për të qenë një mision jo për të qenë thjeshtë një instrument për pasurimin e një kaste që nuk do t’ia dijë për votën e qytetarëve”-tha më tej Meta.

Ndërsa ne, tha ai, do të realizojmë të gjitha ato politika të cilat e kthejnë ekonominë tonë nga një ekonomi konsumatore në një ekonomi prodhuese, në një ekonomi konkuruese, në një ekonomi që punëson shqiptarët dhe u krijon mundësi që të mbajnë familjet e tyre dhe t’i rrisin fëmijët e tyre me dinjitet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›