E Diel, 1 Nëntor 2026

Qafë-Shtamë, varfëria kthen njerëzit te tunelet e vdekjes

Mat 13 vjet pas tragjedisë me 23 viktima, rifillon shitja e predhave për skrap

Banorë të fshatit Selicë në Komunën Komsi të Matit u janë rikthyer tuneleve të Qafë-Shtamës për të siguruar bukën e gojës nëpërmjet shitjes së municioneve për skrap.

Këto ditë, banorët e kësaj zone përkujtuan ngjarjen e 13 viteve më parë, kur në këto tunele nga shpërthimi i municioneve humbën jetën 23 persona nga ky fshat. Viktimat e fshatit të largët malor, kryesisht fëmijë dhe të rinj të moshës deri në 30 vjeç, duke mos pasur asnjë mundësi tjetër për të siguruar të ardhura ekonomike, mësynë tunelet e mbushura me predha për të mbledhur bronz e bakër, për t’i shitur në tregun e zi. Por, shpërthimi i predhave brenda në tunel u mori atyre jetën tragjikisht. Një pjesë e kufomave mbetën në tunel në pamundësi për t’u nxjerrë. Edhe pas 13 viteve trupat e viktimave ende nuk janë gjetur. Me kalimin e viteve, nën peshën e rëndë të varfërisë, banorët duket se “harruan” rrezikun që u kanosej nga këto tunele. Kështu, banorë të këtij fshati dhe zonave përreth filluan t’u rikthehen tuneleve vdekjeprurëse për të mbledhur gëzhoja predhash në këmbim të pak parave për ta dhe familjet e tyre. Ndodhur përpara këtij fakti, para dy viteve banorët kërkuan mbylljen e tuneleve. Forca të ushtrisë mbyllën dyert e tuneleve, për të mos pasur më viktima të tjera.

Mirëpo varfëria e tejskajshme ka bërë që këto muajt e fundit mjaft banorë t’u rikthehen përsëri tuneleve, pa marrë parasysh se jeta e tyre vihet në rrezik. Kryeplaku i Selicës, Fiqiri Dishani, tha për “Shqip” se persona të panjohur, të detyruar nga varfëria, u janë rikthyer tuneleve, kryesisht natën dhe vazhdojnë punën për mbledhjen e gëzhojave të municioneve të artilerisë së rëndë. Për këtë, ata kanë hapur një pjesë të murit të tunelit kryesor dhe pasi futen brenda bëjnë çmontimin e predhave të rënda. Gëzhojat i nxjerrin nga tuneli dhe pastaj i transportojnë me kafshë deri poshtë në fshat, duke i shitur në pikat e grumbullimit të metaleve.

Një tjetër banor i fshatit, anëtar i fisit Dishani, që në tragjedinë e vitit 1997 humbi 13 persona, Lik Dishani, thotë se asgjë nuk është bërë deri më sot për familjet që humbën njerëzit e tyre në këtë tragjedi. Të paktën, thotë ai, familjeve të tyre t’u ishte lidhur një pension.

Ndërsa një ish-oficer i ushtrisë, Seit Dishani, konfirmon se rreziku në këto tunele është evident, pasi brenda tyre gjenden ende predha të çdo lloj kalibri, si dhe lëndë plasëse.

Këtë shqetësim banorët e Selicës ia bënë prezent deputetit të Qarkut të Dibrës, Bedri Hoxha. Ata i kërkuan atij të ndërhynte pranë dikasterit të mbrojtjes për të ndalur përfundimisht hyrjen e njerëzve në tunelet e Qafë-Shtamës. Hoxha ka deklaruar se ky problem do t'i bëhet prezent ministrit Imami dhe se fenomeni do të marrë fund një herë e mirë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›