E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unë, pengu i Xhepaxhiut dhe Bozit

Gardisti Petrit Gjoka rrëfen masakrën e Cërrikut në gjykatë. Tregon me gisht autorët

Një nga gardistët që kishte shkuar në vitin 1997 në Cërrik për të rivënë rendin, ka treguar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda tmerrin që ka kaluar së bashku me kolegët e forcave speciale. Petrit Gjoka i tregoi me gisht gjykatës Roland Xhepaxhiun me Met Bozin, që e kishin marrë peng, duke ushtruar edhe dhunë mbi të. Dëshmitari përshkroi plagosjen e vet, vrasjen e disa prej specialëve, si dhe djegien e gjallë brenda blindave të kolegëve të tjerë. “Në vitin 1997 kam qenë i punësuar në Gardë. Operacioni i parë ishte më 22 maj. Kemi marrë urdhër atë ditë për t’u nisur drejt Elbasanit. Të nesërmen, më 23 maj në mëngjes u mblodhëm në komisariat. Na thanë se do të niseshim për në Cërrik, pasi ishte mësuar se atje grupe të armatosura po terrorizonin popullsinë. Kemi ikur me katër blinda. Mund të kemi qenë 30–35 veta. Rrugës kemi bërë ndalesa për të mbledhur armë. U futëm në Cërrik për të shkuar te posta e policisë. Unë isha në blindën e dytë. Para nesh ishte një tjetër blindë që u qëllua dhe më pas ai u tërhoq duke dalë ne të parët”, filloi të tregonte detaje nga ngjarja e 23 majit e vitit 1997, Petrit Gjoka. Ai tha se sapo u futën në shesh u gjendën përballë një breshërie armësh, e cila i detyroi të ndalnin blindën. “Dola nga blinda dhe u sistemova në një cep të tij. Në këtë moment pashë edhe Arjan çengën te këmbët e mia. Kishte vetëm të shtëna. Pashë me sytë e mi Sali Martinin me bluzën e bardhë të ngjyrosur me gjak. Ai mbante një pistoletë në dorë, por asnjëherë nuk qëlloi. Ai erdhi afër meje dhe u rrëzua. Kam përjetuar ditën e tmerrit. Ata njerëz vetëm qëllonin dhe ne nuk dinim si të qëndronim dhe përse e bënin këtë gjë. Sali Martini ishte i gjithi i larë në gjak. Në grahmat e fundit të jetës, teksa jepte shpirt, ai më tha ‘amanet m’u ço fjalë robve të shtëpisë se jam i vdekur’. Pas këtij çasti në mes të sheshit pashë Besnik Sulën. Pa u afruar te tanku atë e kapi plumbi. Unë i bërtita duke i thirrur ‘Besnik largohu’, por atij i hidhej trupi në hava nga plumbat, që nuk pushonin. Dy kolegë të tjerë mbetën të djegur të gjallë brenda në blindë, pas goditjes së dytë që ai mori në serbator”, vijoi rrëfimin gardisti, që në largim e sipër kishte marrë në krahë edhe një person të plagosur. “Unë u hodha nga rrjeta e telit që ishte vendosur dhe në atë moment më kapi një predhë në kofshën e djathtë nga prapa, duke më dalë përpara. Kofsha ishte komplet e copëtuar. Për momentin nuk e kuptova që u plagosa. Rashë në tokë dhe me ndihmën e automatikut do ngrihesha në këmbë, por pashë që gishtat e këmbës m’u kthyen mbrapsht. Familjarët që ndodheshin lart më thoshin ‘kujdes se të vranë. Nuk të ndihmojmë dot’. Pashë një djalë me armë në dorë që kontrollonte të plagosurit dhe viktimat nëpër xhepa. Policia u tërhoq e gjitha dhe aty mbetëm vetëm ne të plagosurit”, deklaroi gardisti, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorisë dhe gjykatës. Ai tha se pasi pushuan të shtënat erdhën rreth 20-30 persona, që po i qëllonin me qyta automatiku. “Aty kam fiksuar, dhe nuk më hiqet nga mendja, Roland Xhepaxhiun. Për momentin emrin s’ia dija, por fytyrën ia fiksova shumë mirë. Ai më ka qëlluar me qytë automatiku dhe më ka lënë sakat edhe sot. Më ka thyer kockën e legenit. Më pas shkuam te një familje, ndërkohë që në dritare rrinin të gjithë të armatosurit, duke kërkuar të na vrisnin. Erdhi një burrë i shkurtër dhe me flokë të shkurtër, pothuajse tullac. Ai filloi të na pyeste... Personi në fjalë është Met Bozi dhe unë fytyrën e tij nuk e harroj asnjëherë”, tha gardisti, i cili tregoi se i kishte kërkuar Bozit dhe të tjerëve që më mirë ta vrisnin se sa ta torturonin ashtu. Por disa orë më vonë, pasi robërit ishin filmuar duke u marrë në pyetje, u bë shkëmbimi i tyre me një djalë që shoqëroi policia. “Unë jam liruar dhe atë ditë jam nisur në Tiranë, në spital, ku kam qëndruar 15 ditë”, tha Petrit Gjoka.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›