Plagosja me thikë, për borxhin e mushkës së shitur
Dy ditë pas plagosje me thikë të një 29-vjeçari në qendër të lagjes “18 shtatori” në Gjirokastër, policia lokale ka mundur të zbardhë enigmën dhe të arrestojë autorin e ngjarjes.
Sipas policisë lokale, autor i plagosjes me thikë të Ermir Kotroçit dyshohet se është 26-vjeçari Naim Canaj, i cili është prangosur mëngjesin e së shtunës, te disa të afërm të tij në Këlcyrë të Rrethit të Përmetit. Ndërkohë dyshohet se shkak për ngjarjen është bërë borxhi që viktima i kishte autorit për blerjen e një mushke një vit më parë. Burime zyrtare të policisë së Gjirokastrës bëjnë të ditur se rreth orës 09:00 të së shtunës, specialistët për Parandalimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjirokastër, kanë bërë ndalimin e Naim Canajt, i cili në datën 22 korrik të këtij viti, rreth orës 20:00, pas një sherri për motive të dobëta ka plagosur me një thikë 29-vjeçarin Ermir Katroçi, në qendrën e lagjes “18 Shtatori” të qytetit të Gjirokastrës. “Policia ka kryer të gjitha veprimet ligjore në vendngjarje, ka shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë disa dëshmitarë okularë në vendngjarje, për të bërë të mundur identifikimin e autorit, pasi shtetasi i dëmtuar nuk i dha asnjë shpjegim policisë për këtë ngjarje, duke u justifikuar se nuk e njihte dhe autori ishte larguar menjëherë nga vendngjarja”, ka thënë zëdhënësi i policisë.
Më tej ai ka shtuar se pas hetimeve dhe grumbullimit të informacioneve në rrugë operative, është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorit. Policia ka ushtruar kontrolle të shumta në disa lagje dhe banesa të qytetit Gjirokastër, ku dyshohej se fshihej autori, por nga një informacion i marrë në rrugë operative rezultoi se autori i ngjarjes ishte larguar në drejtim të Përmetit dhe fshihej në një banesë në qytetin e Këlcyrës, te një i afërmi i tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të “Plagosjes së lehtë me dashje”.