E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta dhe Frattini në Nismën Adriatiko-Joniane

Vizita

Me ftesë të ministrit të Jashtëm italian, z. Franko Frattini, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, mori pjesë në Takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Nismës Adriatiko-Joniane, të zhvilluar në qytetin e Ankonës, Itali. Në këtë Ministerial, i cili shënoi edhe përfundimin e presidencës italiane të kësaj nisme, morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Italisë, Greqisë, Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi. Takimi XII i nivelit të lartë mbart këtë vit një simbolikë të veçantë, pasi përkon me 10-vjetorin e krijimit të Nismës Adriatiko-Joniane. Me këtë rast, ministrat e Punëve të Jashtme, duke bërë një bilanc të angazhimeve dhe aktiviteteve të saj, ndanë së bashku vlerësimin për rolin e nismës në drejtim të forcimit të bashkëpunimit mes vendeve anëtare, konsolidimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si dhe nxitjen e një zhvillimi ekonomik rajonal përmes projekteve me interes të përbashkët. Ministrat e NAJ miratuan dy deklarata të rëndësishme politike: Deklaratën e Ankonës, si dhe Deklaratën e Këshillit Adriatiko-Jonian në mbështetje të Strategjisë së BE-së për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit. Në Deklaratën e Ankonës u rikonfirmua perspektiva e qartë dhe e afërt europiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe u vlerësua progresi i dukshëm që këto vende kanë arritur në procesin e integrimit në BE, duke nënvizuar rëndësinë e finalizimit të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, i siguroi homologët e tij për kontributin dhe angazhimin e Shqipërisë në kuadër të Nismës Adriatiko-Joniane.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›