Milo, i habitur nga deklaratat e Fule
Deklarata e komisionerit europian për Zgjerimin, Stefan Fyle, ka provokuar reagime nga opozita e majtë në Shqipëri. “Unë nuk jam absolutisht dakord dhe habitem se si një komisioner europian që quhet Fule, të mund të zhvishet edhe nga kostumi diplomatik formal dhe të lëshojë një deklaratë të tillë. është e palejueshme”, tha kreu i PDS-së, Milo, gjatë një emisioni televiziv. Kështu, një ditë nga mbyllja e debateve në Parlamentin Europian, të cilat sollën me vete kritika në adresë edhe të opozitës, kjo e fundit duket se nuk do të tërhiqet nga kauza e vet, pavarësisht përkrahjes ndërkombëtare. Të njëjtin qëndrim ka ndarë edhe deputetja socialiste, Arta Dade, e cila ka vlerësuar se moskalimi i deklaratës përfundimtare dëshmon për dimensionin e krizës shqiptare. Aktualizimi i rrugës si mjedis i ushtrimit politik për opozitën shqiptare ka ngritur pikëpyetje mbi nivelin e komunikimit mes palëve. Adresimi i përgjegjësive për ndërmjetësim te Presidenti i Republikës po lind së fundmi si një refleks që buron nga tradita e këtyre viteve, por edhe kuadri kushtetues që i jep kreut të shtetit tagrin e një negociuesi parimisht të baraslarguar nga palët. Se sa e mundshme është një zgjidhje shqiptare e krizës, kjo mund të vlerësohet nga qëndrimet e palëve, që të paktën në terminologjinë e opozitë kanë shkuar shumë larg. Për socialdemokratin Skënder Gjinushi, kriza e tanishme ka vetëm një përgjegjës, atë që në fakt mban vulën e përgjegjësisë për çdo krizë të tranzicionit: Sali Berisha. “çdo krizë përfundon në tavolinë dhe kjo krizë do të përfundojë në një tavolinë për t’u zgjidhur. Presidenti ka teorikisht gjithnjë të drejtën për të iniciuar një tryezë, por në tryezën e fundit ishte mazhoranca e Saliut ajo që u tërhoq... Pra kriza ka një emër, i cili duhet të largohet”, deklaroi Gjinushi.
#