Meta pritet me lule dhe valle në Preshevë
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, i dha fund dje vizitës dyditore në Serbi pas një sërë takimesh jo vetëm me drejtues të Beogradit, por edhe të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës. Banorët e kësaj të fundit e kanë pritur me lule dhe me valle kryediplomatin shqiptar. Në përfundim të këtij takimi, Meta tha se nuk i takon atij të thotë se sa e suksesshme ishte kjo vizitë, por synimi kryesor i saj është intensifikimi i marrëdhënieve mes dy palëve, si e vetmja mënyrë që qeveria shqiptare dhe ajo serbe të ndihmojnë në pajtimin mes palëve. Meta, ashtu sikurse edhe homologu i tij, Jeremiç, pranuan se dy shtetet ndajnë pikëpamje të ndryshme në lidhje me çështjen e Kosovës, por nga ana tjetër ajo që i bashkon është e ardhmja e gjithë Ballkanit në Bashkimin Europian. “Pikërisht për këtë duhet edhe intensifikimi i marrëdhënieve midis dy vendeve, përfshirë jo vetëm ato midis qeverive në mënyrë të veçantë, por edhe të aktorëve të tjerë shumë të rëndësishëm të shoqërisë civile, të botës akademike, universitare, të biznesit, pra të gjithë atyre që kërkojnë një përparim të shpejtë dhe të qëndrueshëm të vendeve tona drejt Bashkimit Europian. Absolutisht që do të fitojmë kohë duke evituar sa më shumë retorikën, referencat e ndryshme ndaj historisë. Tani, në fund të fundit, është detyra jonë, e politikanëve, që me kurajë, me vizion, të përqendrojmë gjithë energjitë për të ardhmen e qytetarëve tanë, për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të mos merremi me historinë më shumë se sa i takon”, deklaroi Meta.
Gjatë vizitës së tij në Preshevë, Meta u prit nga kryetari i komunës, z.Ragmi Mustafa, kryetari i Kuvendit z. Skënder Destani, si dhe nga qindra qytetarë, të cilët kishin dalë për të pritur zyrtarin e parë nga qeveria e Shqipërisë. Meta së pari zhvilloi një bisedë me zyrtarët e pushtetit lokal në zyrën e kryetarit e me pastaj mbajti në një fjalim sallën e Kuvendit para këshilltarëve. Kryetari i Komunës së Preshevës ndau një mirënjohje me z.Meta për vizitën e parë të një zyrtari në qytetin e Preshevës. Gjatë takimit në zyrën e kryetarit të komunës, z.Meta i luti të pranishmit për një minutë përkujtim dhe heshtje për Kryeministrin e ndjerë Xhinxhiç. Qëndrimi i Metës në Preshevë ishte i shkurtër për arsye se axhenda e tij vazhdonte edhe në Bujanovc. Gjatë qëndrimit në qytet ai u nderua me mirënjohje nga kryetari i komunës, z.Mustafa, për vizitën e parë të një zyrtari nga qeveria shqiptare. Para nisjes drejt Luginës së Preshevës, kreu i dikasterit të jashtëm zhvilloi një konferencë për shtyp në ambientet e ambasadës shqiptare në Beograd, ku zbuloi edhe një detaj. Meta tha se para vizitës në Serbi ka pasur një bisedë telefonike me Kryeministrin kosovar Hashim Thaçi, duke marrë mirëkuptimin e tij në lidhje me këtë çështje.
Ndërsa në intervistën dhënë për VOA, Meta preku edhe çështjen e akuzave të ish-kryeprokurores së Hagës, Karla Del Ponte, duke deklaruar se akuzat e saj janë të pabaza, por nga ana tjetër shprehu gatishmërinë e zhvillimit të hetimeve si një mënyrë për të vërtetuar se nuk ka asgjë të vërtetë në atë që thuhet.
Ndërkohë Meta, i pyetur gjatë konferencës për shtyp, në lidhje me krizën në Greqi, pranoi se ajo mund të ketë ndikim edhe në Shqipëri. “Kuptohet, ka disa ndikime ekonomike edhe në vendin tonë, sepse Greqia është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë dhe ekonomikë të Shqipërisë. Por kjo situatë nuk duhet të krijojë probleme për integrimin e vendeve të Ballkanit në BE”, ka pohuar Meta.
#