Meta takon homologen kroate, Adlesic
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, priti nё njё takim tё veçantё zv.kryeministren e Republikës së Kroacisë, znj. Durda Adlesic, e cila ndodhet për një vizitë dyditore në Tiranë. Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme z. Ilir Meta dhe zv.kryeministrja kroate, znj. Durda Adlesic, ndanë së bashku vlerësimin se niveli shumë i mirë i marrëdhënieve të bashkëpunimit mes dy vendeve është shprehje e vullnetit tashmë të konsoliduar politik mes të dy qeverive. Në këtë kuadër, të dy palët shprehën vullnetin për thellimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, me qëllim që ai të ngrihet në nivelin e marrëdhënieve politike dhe t’i përgjigjet potencialeve të dy vendeve. Në qendër të bisedimeve ishte gjithashtu edhe bashkëpunimi i ngushtë në kuadër të procesit integrues të dy vendeve drejt anëtarësimit në BE, pavarësisht shkallës së arritjeve të secilit vend. Temë e rëndësishme ishte edhe procesi i liberalizimit të vizave mes dy vendeve. Gjatë këtij takimi bashkëbiseduesit diskutuan edhe për bashkëpunimin në kuadër të nismave rajonale dhe në veçanti lidhur me propozimin e palës kroate për ngritjen e një Qendre Rajonale të Zjarrfikësve në Kroaci, e cila do t’i shërbente përballjes me më efikasitet të zjarreve që kërcënojnë territoret e vendeve të rajonit, veçanërisht gjatë periudhës së verës.
#