Topi, ska tryezë, por vetëm kontakte me Patozin dhe Ruçin
Asnjë negociatë vetëm kontakte me ndërmjetës me palët. Dy ditë më parë Presidenca komunikoi shtyrjen e negociatave për dje, pas mos arritjes së marrëveshjes ndërmjet Berishës dhe Ramës në prezencën e delegacionit të Këshillit të Europës, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Si Kryeministri Berisha ashtu edhe lideri i opozitës, Edi Rama, dje kanë qëndruar në “llogoret” e tyre politike, por Presidenca vazhdon të jetë e duruar dhe kundërshton dështimin e tryezës, madje thekson se gjithçka po ecën përpara pavarësisht ritmeve të saj. Burime në Presidencë bënë të ditur për “Shqip” se gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar kontaktet intensive të këshilltarit juridik të Presidentit, Spiro Peçi, me drejtuesit e nivelit të dytë të Partisë Demokratike dhe Socialiste. Mësohet se zoti Peçi ka pasur takime me nënkryetarin e Partisë Demokratike, Astrit Patozi, dhe me kreun e Asamblesë Parlamentare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. Gjatë këtyre kontakteve është diskutuar për paragrafin që do të vendoset në draft-marrëveshjen në lidhje me komisionin hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Por deri tani palët kanë bërë të ditura qëndrimet e tyre dhe përparimet në këtë aspekt nuk janë parë fare. Por burime pranë Presidentit thanë për “Shqip” se “Berisha dhe Rama ndahet për një centimetër, ndaj përparimet në negociata do të quhen pozitive edhe nëse janë nga një milimetër në ditë”. Megjithatë, gjithçka do të varet nga presioni ndërkombëtar, i cili pas hyrjes së Partisë Socialiste në seancën e nesërme të Parlamentit pritet që të devijohet nga qeveria. Kjo për arsye se pas dy koncesioneve të bëra nga Rama ndërkombëtarët presin lëshimin e dytë të bërë nga Berisha për çështjen e kutive. Seanca e ardhshme e tryezës formale mes Kryeministrit dhe liderit të opozitës pritet të thirret nga kreu i shtetit, Bamir Topi, pasi të merren sinjalet për një marrëveshje mes palëve. Që pas hyrjes në Kuvend të socialistëve mund të jenë edhe më të lehta në kuadrin e legjislativit. Por Presidenti Topi nuk do ta thërrasë tryezën këtë herë nëse nuk do të ketë marrëveshje paraprake, ndaj dhe e treta pritet të jetë ajo e vërteta ku do të firmoset pakti i paqes. Vetëm nëse do të dështojnë të gjitha përpjekjet e kreut të shtetit, atëherë Presidenti do ta bëjë të ditur atë publikisht të shoqëruar edhe me arsyet. Deri tani Topi ka thirrur dy herë ballë për ballë Berishën dhe Ramën në Presidencë dhe njëherë veç e veç. Takimi i parë u zhvillua më 13 shkurt ku Kryeministri dhe lideri i opozitës janë përplasur për thelbin e kompromisit, ndërsa katër ditë më pas, gjatë takimeve veç e veç Presidenti ka marrë kërkesat e PD-së dhe PS-së, duke deklaruar gjithnjë se takimet vazhdojnë. Pas dështimit të së hënës, fjalëkryqi i zgjidhjes së krizës po bëhet edhe më i pazgjidhshëm. Megjithatë, aktiv në procesin e nisur të negociatave përveç këshilltarit juridik të Presidentit, Spiro Peçi, është edhe këshilltari diplomatik i tij, Arben Cici, i cili ka vazhduar kontaktet me faktorin ndërkombëtar duke diskutuar rrugët dhe kohën e zhvillimit të bisedimeve. Të cilat normalisht duhet të kenë një fund, i cili sipas delegacionit të Këshillit të Europës: Duhet të mbyllen shumë shpejt, madje menjëherë që nga ky moment...
#