E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta, vizitë zyrtare në Andorra dhe takim me homologun Miro

Diplomacia Ky takim është i pari mes kryediplomatëve të dy vendeve

Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Principatën e Andorrës, ku u prit nga ministri i Punëve të Jashtme dhe të Marrëdhënieve Institucionale të Andorrës, Xavier Espot Miro. Homologu i ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi se ai ishte krenar për faktin se kjo vizitë, ishte e para e një ministri të Jashtëm shqiptar në Andorra. “Jam shumë krenar për faktin që vizita juaj është e para e një ministri të Jashtëm shqiptar në Andorra dhe kjo përbën një datë historike për marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Kjo vizitë do të shërbejë si një pikënisje në zhvillimin e raporteve midis Shqipërisë dhe Andorrës në të ardhmen”, deklaroi Xavier Espot Miro. Gjatë bisedës, delegacionet të drejtuar nga dy ministrat ranë dakord në konkretizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në fushat me interes të përbashkët si turizmi, bankat, mjedisi, infrastruktura, nëpërmjet krijimit të një kuadri të plotë ligjor. Sipas Metës, pala shqiptare do të përgatisë projektet e marrëveshjeve dypalëshe në secilën nga fushat e përmendura. Po kështu, ministri ynë i Jashtëm e informoi homologun nga Andorra lidhur me progresin e bërë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, liberalizimin e shpejtë të vizave dhe përfitimin së shpejti të statusit të vendit kandidat. Nga ana tjetër, Meta diskutoi me homologun e tij edhe për situatën në rajonin tonë dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në marrëdhëniet me të gjithë vendet e rajonit. Meta u shpreh se vendimi i ditëve të fundit i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pavarësinë e Kosovës do t’i shërbejë forcimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›