Zjarri djeg 50 ha, shpëton fshati
Një vatër zjarri është shfaqur paraditen e djeshme në zonën e kodrave të Shashicës, në lindje të qytetit të Vlorës. Flakët, të ndihmuara edhe nga era, janë përhapur me shpejtësi, duke djegur dhe shkrumbuar plotësisht një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 50 hektarësh me shkurre. Shefi i policisë pyjore, Xhorxhi Goxhara, tha se me gjithë përpjekjet për ta dominuar, vatra e zjarrit është zgjeruar dhe ka përfshirë një sipërfaqe të madhe. Goxhara tha se vatra e zjarrit është pasojë e veprimeve të çobanëve të kësaj zone, të cilët synojnë të zgjerojnë hapësirat e kullotave. Flakët erdhën fillimisht nga fshati Vodicë, rreth 5 km në lindje të kodrave të Shashicës, duke u favorizuar nga era e fortë. Zjarri, që për këtë sezon është i treti në Vlorë, ka bërë që reja e tymit të duket edhe në qytet. Pushuesit e kanë vënë re këtë vatër zjarri dhe kanë njoftuar policinë e zjarrfikëseve, të cilët së bashku me shefin e tyre për disa orë me radhë kanë luftuar me zjarrin dhe kanë arritur ta ndalojnë përparimin e tij në veri dhe në jug, ku rrezikonte shtëpitë e fshatit Kaninë nga një anë dhe antenat e telefonisë nga ana tjetër.
Pas disa orësh zjarri është izoluar dhe hapësira prej 50 hektarësh që është përfshirë nga zjarri është fikur vetë. Nga ana e zjarrfikësve ka nisur hetimi dhe janë pyetur dhe çobanët e zonës për gjetjen dhe vënien pra përgjegjësisë së shkaktarëve të djegies së 50 hektarëve shkurre.
#