Milani kërkon përmbysjen, Boateng e nis titullar
LONDËR- Milani do të kërkojë të përmbysë humbjen 0-1 në “San Siro”, kur të luajë sot në mbrëmje në Londër ndaj Totenhemit. Një lajm i mirë për trajnerin Alegri ka ardhur nga infermieria, pasi Kevin Prins Boateng duket e ka kaluar dëmtimin dhe do të jetë i gatshëm për Milanin. “Formacioni ynë varet nga Boateng, që ka një shans të madh për të luajtur. Pjesa tjetër e ekipit është e njohur”, deklaroi tekniku Masimiliano Alegri. Në kampin kuqezi besojnë ende te përmbysja, madje drejt Londrës kanë udhëtuar rreth 2 mijë tifozë për të përkrahur skuadrën e tyre. Klarens Sedorf deklaron se nuk është i shqetësuar nga Garet Bejl, që është rikthyer dhe do të jetë në fushë nga minuta e parë në takimin e sotëm. “Ne humbëm edhe pa Bejl në fushë, nuk mendoj se është i vetmi që mund të bëjë diferencën”, deklaroi holandezi. Edhe pse është një nga skuadrat më të mëdha të botës, me 7 Liga Kampionesh të fituara, Milani ka një rekord tejet negativ në Angli. Kuqezinjtë kanë fituar vetëm njëherë në 14 përballjet e mëparshme, ndërkohë që kanë humbur 9 dhe kanë barazuar 4. Ndërkohë, Zllatan Ibrahimoviç nuk ka fituar kurrë një ndeshje të Champions League në Angli edhe pse Klarens Sedord deklaron se suedezi do të jetë lideri i Milanit në këtë takim. Problemet e Milanit në takimin e sotëm lidhen me mesfushën, pasi Andrea Pirlo dhe Masimo Ambrozini janë të dëmtuar, Mark Van Bomel nuk mund të aktivizohet sepse ka luajtur me Bajernin, ndërkohë që Xhenaro Gatuzo është i pezulluar.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)