E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat Pollo e Olldashi, betohen para Topit

TIRANE Ministrat Sokol Olldashi dhe Genc Pollo kanë bërë sot betimin në presidence. Betimi i dy ministrave të kabinetit Berisha vjen pas ndryshimit të emërtesave të ministrave.

Sokol Olldashi do të kryejë detyrën e ministrit të Punëve Publike dhe Transporteve, ndryshe nga sa quhej deri tani, ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve. Ndërkohë, Genc Pollo, i cili deri tani quhej ministër i Shtetit dhe i Marrëdhënieve me Parlamentin, sipas dekretit më të fundit të Presidentit Topi do të quhet ministër për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatëse nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, si dhe pas betimit mbi Kushtetutë të dy ministrave presidenti Bamir Topi u dorëzoi dy anëtarëve të Këshillit të Ministrave dekretet e emërimit, duke u uruar suksese në detyrat e reja dhe të rëndësishme.

Përmes ndryshimit të këtyre emërtesave, njëherësh zyrtarizohet edhe kalimi i sektorit të telekomunikacioneve në varësinë e Pollos. Tregu i telefonisë rezulton të jetë momentalisht sektori më dinamik i ekonomisë shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare të qeverisë, 34.4% është rritja ekonomike gjatë tremujorit të fundit në sektorin e telekomunikacionit në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pollo merr drejtimin e këtij sektori në një periudhë kur sapo është lajmëruar futja në tregun e telefonisë celulare të një operatori të katërt. Sipas kontratës me kompaninë fituese, celulari i katërt duhet të kishte nisur operimin në muajin tetor të vitit të kaluar, por sikundër ka bërë të ditur qeveria, shkaqet teknike sollën shtyrjen. Aktualisht, tregu i telefonisë së lëvizshme ka mbi 4 milionë abonentë, ose rreth 1.2 milionë më shumë se në vitin 2008, ndërsa tregu i telefonisë fikse ka rreth 363 mijë pajtimtarë, por me shkallë të ulët penetrimi, rreth 11.2 për qind. Ndërkohë, në Shqipëri numërohen rreth 80 mijë përdorues të internetit me bandë të gjerë dhe 60 mijë përdorues të internetit nëpërmjet celularit.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›