Ministria e Mjedisit akoma në përgatitjen e ligjeve
Përfundimi i amendimeve dhe udhëzimeve përkatëse në përputhje me matricën e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe planin e përafrimit të legjislacionit me ato të Bashkimit Evropian, mbetet ndër objektivat kryesore të punës së ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, (MMPAU). Por kryesor mbetet hartimi dhe zbatimi i legjislacionit horizontal që siguron mbrojtjen e integruar të mjedisit dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, si një prej detyrimeve themelore të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, (MSA).
"Paralel me plotësimin e bazës ligjore kërkohet dhe përcaktimi i procedurave të vlerësimit të ndikimit në mjedis, të aprovimit të lejes mjedisore dhe forcimi i strukturave dhe kapaciteteve vendase për zbatimin e legjislacionit horizontal", pohojnë burime nga MMPAU. Në këtë drejtim, forcimi i bashkëpunimit midis institucioneve qendrore dhe lokale të përfshira në administrimin e mjedisit, burimeve natyrore dhe territorit për integrimin e mjedisit në të gjitha hallkat e vendimmarrjes dhe realizimin e një vendimmarrjeje mjedisore gjithëpërfshirëse, mbetet prioritet. Jashtë kësaj fushe nuk mbeten forcimi i përfshirjes së publikut në procesin e vlerësimit të ndikimit në mjedis, rritje e aksesit të individëve dhe OJF-ve në informacionin mjedisor si dhe tërheqja e tyre në vendimmarrjen mjedisore, si pjesë integrale ndaj detyrimeve të MSA-së. Për këtë qëllim, në korrik 2008 Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për pjesëmarrjen e publikut në proceset e hartimit të projekteve me ndikim në mjedis.