E Diel, 1 Nëntor 2026

Minoreni aksidenton fëmijën, ikën nga vendngjarja

01/09/2009  Në spital, nën mjekim intensiv. Gjendet mjeti i braktisur, drejtohej nga një 15-vjeçar

DURRES- Një minoren ka aksidentuar në shëtitoren “Taulantia” fëmijën 6 vjeç dhe më pas largohet nga vendi i ngjarjes. Aksidenti ka ndodhur në kryqëzimin e rrugës pranë monumentit të Mujo Ulqinakut, në kryqëzimin e rrugës për tek parku i Kodrës së Vilës dhe rrugës për në Currila.

Aksidenti

Ndonëse në këtë kryqëzim ka shërbim të përhershëm nga policia, mjeti “Golf” pa targa dhe me ngjyrë gri ka përplasur në asfalt fëmijën L.D. I mituri është përpjekur të kalojë rrugën, por në ato çaste është shtypur nga golfi. Drejtuesi i mjetit thuhet se ka qenë 15-vjeçari L.M nga lagjja numër 18 e qytetit, i cili është larguar pas këtij aksidenti duke lënë fëmijën në rrugë pa ndihmë. Kanë qenë kalimtarët dhe qytetarët e shumtë që kanë marrë fëmijën dhe e kanë transportuar për në spitalin e qytetit ku edhe është nën trajtimin intensiv mjekësor. Në periferi të lagjes numër 1, atje edhe ku ndodhi aksidenti rrugor, është gjetur mjeti “Golf” i braktisur. Nisur nga hetimet paraprake thuhet se ky mjet është braktisur nga shtetasi L.M 15 vjeç. Fëmija ka qenë së bashku me prindërit në kohën që është bërë viktimë e rastit, ndërkohë që ai është shkëputur për pak çaste, aq sa kanë mjaftuar për t’u aksidentuar. Minoreni 15-vjeçar drejtonte mjetin pa patentë dhe qarkullimi i tij në rrugën më të ngarkuar të qytetit ka lënë shumë dyshime lidhur me ndërhyrjen e Policisë së Qarkullimit Rrugor për të parandaluar aksidentet. Janë shumë minorenë që drejtojnë mjetet edhe të pashoqëruar nga prindër, ndërsa deri tani asnjë person nuk është penalizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›