E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i ri shkollor në Berat me probleme

01/09/2009  Drejtori i Arsimit akuzon pushtetin vendor se ka penguar ndërtimin e dy shkollave të reja

Probleme dhe me bazën materiale në shkollat ekzistuese, ku mungojnë dhe bankat

BERAT- Drejtori i Arsimit të rrethit të Beratit, Yzedin Hima, akuzon pushtetin vendor se ka penguar punën për hapjen e 2 shkollave në rrethin e Beratit. Hima bën të ditur se viti i ri shkollor për nxënësit e fshatit Hinkë të rrethit të Beratit nuk do të fillojë në shkollën e re siç ishte parashikuar. Sipas tij, pengesa ka ardhur nga komuna e Poshnjës, e cila nuk ka zgjedhur ende firmën që do të punoj për ndërtimin e shkollës. Shkolla për të cilën është çelur dhe fondi nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas Himës, kërkon rikonstruksion të plotë. Por vonesa e fazës së prokurimit ka vonuar fillimin e punimeve të kësaj godine duke lënë jashtë shkollës nxënësit më 14 shtator kur fillon dhe viti i ri shkollor. Për këtë problem Hima ka shkuar në komunë, por nuk ka gjetur drejtuesin e saj, ndërsa nga informacionet që ka marrë i është sqaruar se prokurimi për shkollën është bërë në internet, ndërsa firmat që kanë dashur të marrin këtë objekt nuk kanë pasur dokumentacion të rregullt. Sipas drejtorit të Arsimit, shkolla e Hinkës ka qenë në fokus të mediave, pasi nxënësit që mësonin aty rrezikonin t’u shembej godina dhe për të mos u rrezikuar janë marrë masa duke u zhvendosur për të kryer mësim në një banesë të fshatit. Ndërkohë nga Bashkia e Beratit sipas Himës nuk është zgjidhur problemi i pronësisë për ndërtimin e një shkolle në lagjen “Pjeshkore” të qytetit të Beratit për të cilën po mbahet peng fondi rreth 70 milionë lekë. Problemi i truallit i pazgjidhur ende ka lënë pa u ndërtuar shkollën e re në këtë lagje, e cila ka një numër të konsiderueshëm nxënësish. Në këtë periudhë drejtorët e shkollave të Beratit kanë raportuar mbi gjendjen fizike dhe bazës materiale të shkollave të tyre. Sipas drejtuesve të ndryshëm, ajo që vihet re në shumë shkolla është mungesa e bankave, pjesa më e madhe e të cilave janë amortizuar. Për këtë problem sipas drejtorit të arsimit Himës, i është bërë kërkesë Ministrisë së Arsimit pasi vihet re se ka një sërë shkollash ku bankat kanë dalë jashtë përdorimit. Po sipas tij problemi do të marrë fund kur të bëhet rikonstruksion në shkolla, pasi çdo objekt i ri pas fazës së riparimit është pajisur me bazë materiale të re. Ndërsa në lidhje me stafin pedagogjik për këtë vit, Hima vlerëson kërkesat e shumta nga personat e diplomuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›