E Diel, 1 Nëntor 2026

Minxolli, akuzon Prokurorinë “Zhvilluat hetim të njëanshëm”

26/04/2011  Ish-drejtori i fabrikës së Gërdecit: Amerikanët të pandehur, jo dëshmitarë në proces

TIRANE-Ish-drejtori i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, Dritan Minxolli, ka akuzuar Prokurorinë për një hetim të njëanshëm të shpërthimit tragjik të 15 marsit 2008. Gjatë seancës gjyqësore, i pandehuri Minxolli ka pohuar para trupit gjykues se organi i akuzës ka manipuluar provat, duke i ndryshuar statusin katër amerikanëve, mes të cilëve dhe shumë të përfolurit biznesmenit Patrik Henry. Sipas Minxollit, Prokuroria ka shmangur faktet që vinin me shpatulla pas murit Henryn dhe tre specialistët amerikanë. Minxolli ka shtuar se me këto veprime është arritur t’i ndryshohet statusi i amerikanëve, nga të pandehur në dëshmitarë të procesit gjyqësor Gërdeci, ku ende dhe sot asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të flasë para gjykatës. Kjo tregon se amerikanët kanë mundur t’i hedhin “hi syve” Prokurorisë, duke u fshehur pas shtetësisë dhe dëshmive të tyre të dhëna gjatë fazës hetimore të tragjedisë së Gërdecit. “Prokurorisë i ka ardhur për shtat t’i besojë këtyre dëshmive, duke mbyllur sytë se çfarë fshihet prapa kurrizit të amerikanëve, të cilët ishin personat kryesorë që interesoheshin për ndërtimin e Gërdecit, dhe themelimin e shoqërisë private ‘Albademil’”,- ka pohuar i pandehuri Dritan Minxolli. Duke dalë ndesh me deklaratën e dhënë nga Patrik Henri, i cili shprehet se ka pasur incidente zjarresh në Gërdec para tragjedisë së 15 marsit, Minxolli shprehu para gjykatës versionin e tij, duke shtuar se nga janari deri në mars 2008, nuk ka pasur ndonjë zjarr aksidental. Minxolli përmendi emrin e një amerikani tjetër, David Howell, pjesë e projektit për instalimin e makinerive demontuese. Sërish duke rrezuar pretendimin e Patrik Henrit, i cili thotë në letërporosi se nuk merrej kompania SAC me mbikëqyrjen e procesit teknologjik në fabrikë, Minxolli pyeti gjykatësit se pse atëherë Henri solli specialistë e SAC për mbikëqyrje? Më tej Dritan Minxolli mbrojti kunatin e tij, Mihal Delijorgjin duke thënë se një nga specialistët amerikanë gënjejnë kur thonë se Delijorgji ka pasur konflikt me kolegët. Sipas Minxollit, kjo nuk është e vërtetë pasi Delijorgji nuk interesohej për kushtet teknike të fabrikës, por ai mbante kontakte vetëm me të si drejtor fabrike dhe ortakun tjetër biznesmenin Patrik Henry.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›