E Shtunë, 31 Tetor 2026

“U betua banda e Gërdecit me atë të thesarit të shtetit”

19/09/2009  Gjinushi për qeverinë “Berisha 2”

Kreu i PSD-së Skënder Gjinushi shigjetoi ashpër qeverinë e re të kryesuar nga kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, kjo qeveri nuk ka legjitimitet, pasi është pasojë e një mashtrimi të pastër elektoral, e ardhur nga pazaret politike dhe jo nga vullneti i votës së popullit. Një qëndrim të tillë kreu socialdemokrat e lëshoi dy ditë pas betimit të qeverisë “Berisha 2”, duke e vlerësuar vendimin e socialistëve për bojkot ndaj Kuvendit një hap të domosdoshëm në të mirë të votës së lirë dhe legjitimitetit të institucioneve. “Qeveria e re nuk u ngrit për zbardhjen e krimit të Gërdecit, por për mbulimin e tij, duke shkatërruar përfundimisht drejtësinë dhe gjyqësorin në Shqipëri. Bojkoti i Kuvendit është një lëvizje e domosdoshme e opozitës, e cila kërkon rikthimin e votës së lirë, kërkon rikthimin e legjitimitetit të institucioneve, të cilat duhet të ngrihen vetëm me zgjedhje të standardeve europiane”, - u shpreh Gjinushi. Koalicionin mes PD-së dhe LSI-së kreu i PSD-së e ka cilësuar një mashtrim të pastër elektoral, çka ka sjellë sipas tij një qeverisje ilegjitime. Po në këtë linjë, Gjinushi shtoi se “shqiptarët panë se si betohej banda e Gërdecit me atë të thesarit të shtetit para Presidentit të Republikës për të vazhduar vjedhjen, mashtrimin dhe poshtërimin e shqiptarëve. Kujtojmë se kjo krushqi ka filluar me mbylljen e dosjes së KESH-it më 2002-shin dhe tani kurorëzohet me mbylljen e dosjes së Gërdecit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›