E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet mocioni i PDK-së, zhvlerësohet mocioni i mëhershëm për reciprocitet

Pas një debati të gjatë të zhvilluar të premten në Kuvendin e Kosovës, me 59 vota për, 41 kundër dhe 1 abstenim, është rrëzuar mocioni i Lëvizjes Vetëvendosje, duke mbetur në fuqi ai i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili parasheh që Qeveria e Kosovës të ketë kompetenca të plotë për zbatimin e masave të reciprocitetit dhe duke shfuqizuar të gjitha vendimet e tjera.

Opozita është deklaruar si e befasuar me sjelljen e këtij mocionit, andaj edhe ka kritikuar koalicionin qeverisës për këtë.

Rekomandimet e mocionit të propozuar nga PDK janë: 1. Kuvendi i Republikës së Kosovës mirëpret marrëveshjet e arritura në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë përmes procesit të dialogut dhe mbështet zbatimin e tyre tërësishëm, 2.Qeveria në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të vendos të masat përkatëse reciproke për mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe implementimin e konkluzioneve të arritura e saj, të ketë kompetenca të plota në zbatimin e masave të reciprocitetit, 3. Qeveria obligohet t’i raporton Kuvendit lidhur me mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe reciprocitetit, dhe 4. Ky vendim hyn në fuqi ditën e votimit dhe shfuqizon vendimet në lidhje me këtë çështje.

Në përmbyllje të debatit, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se në 100 vjetorin e pavarësisë dhe 4 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë më stabil se tani.

Ai ka shprehur përkushtimin se do të do të vazhdohet të punohet me përkushtim të mëdha për perspektiven evropiane, duke respektuar standardet evropiane.

“E di që disa paraqiten si gardian të patriotizmit e di që dikujt i ka mbetur merak të ishte. Por e theksoj se Kosova evropiane është ajo që kanë luftuar gjenerata. Ndërtimi i rrugëve dhe hapja e kufijve është udhërrëfyes për perspektivë evropiane. Ka kaluar koha e Leninit, Stalinit dhe besa e Musolinit”, ka thënë Thaçi

Sipas tij, e ardhmja jonë evropiane nuk ka të bëjë vetëm me respektimin e ligjit dhe të kushtetutës, por mbi të gjitha ka të bëjë me Kosovën evropiane, duke shtuar se Kosova evropiane nuk ndërtohet me bllokada.

Thaçi ka shtuar se sot e kur gjithë bota demokratike është mobilizuar për gjendjen në veri, shkaktimi i problemeve në pjesë të tjera të Kosovës, është i panevojshëm.

Shef i Grupit Parlamentar i PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se Kosova është përcaktuar për ekonomi të lirë të tregut, garanton lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave. Sipas tij, për një kohë të gjatë Kosova është thirrur në logjikën e arsyes së ligjshmërisë, respektimit të marrëveshjeve për ekonomi të lirë, në respektimin e ndërsjellë në gjithë vendet e shtetet, duke përfshirë edhe Serbinë.

Sipas tij, ajo që ka ndodhur më 14 janar dëshmon qartë se disa koleg tanë keqpërdorën qëllimin e sinqertë dhe korrekt. Ai ka bërë thirrje që të debatohet në institucione të largohet debati nga rruga.

“Rruga nuk është vendi për të zgjidhur problemet, thirrjet për dhunë janë të papranueshme. Populli i ynë ka nevojë që të shëroj plagët dhe jo të hapen të reja. Ky është vendi ku duhet të flitet, të debatohet dhe të merren vendime. Ju bëjmë thirrje për hirë të ruajtjes së shtetit, për të mirën e popullit dhe përcaktimit tonë Euro-atlantik të mos shkëputemi nga rruga institucionale, si rrugë e vetme për zgjidhjen e gjitha çështjeve dhe shqetësimeve”, ka thënë Grabovci.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka dhënë detaje rreth protestës së 14 janarit. Ai ka thënë se Vetëvendosja, si organizatore e kësaj proteste në kundërshtim me ligjin për tubime publike nenin 6 paragrafi 2, nuk ka paralajmëruar Policinë e Kosovës për organizimin e kësaj proteste.

Sipas tij, në zbatim të planit operacional, Policia e Kosovës ka angazhuar 350 pjesëtarë dhe 140 operativ të njësive të specializuar.

Ai ka shtuar se në Merdare kanë qenë rreth 800 protestues, ndërsa në Dheun e Bardhë rreth 700. Bilanci i protestës në Merdare ka qenë 29 zyrtar policor dhe disa aktivistë të Vetëvendosjes të lënduar, ndërsa janë arrestuar 146 persona.

Ministri Rexhepi ka thënë të ketë kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës hetim të zyrtarëve të Policisë së Kosovës gjatë protestës.

“Inspektorati Policor i Kosovës duke u bazuar në informatat preliminare ka konstatuar se Policia e Kosovës ka përdorur forcën dhe mjetet tjera të parapara me ligj. Në të njëjtën kohë, Inspektorati i Policisë së Kosovës ka identifikuar tri raste specifike të cilat lidhen me veprimet e zyrtarëve policor për të cilët janë duke u zhvilluar hetime konkrete”, ka thënë ministri Rexhepi.

Por shefi Grupit Parlamentar i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se padyshim që bisedimet, mënyra e fillimit dhe realizimit të tyre pashmangshëm lidhen edhe me ngjarjet që pasuan më vonë dhe pse jo me 14 janarin, jo me arsyetimin që ndodhi në rrugë, por me një qasje jo serioze dhe jo kompetente dhe të papërgjegjshme të Qeverisë.

Sipas tij, LDK është për bisedime të përgatitura, por është edhe ratifikim të këtyre marrëveshjeve në këtë kuvend.

“Ratifikimi i këtyre marrëveshjeve, konkluzave si do që t’i quajmë do t’ja hiqte atë punë qeverisë që në bazë vullnetare të thotë mundem apo nuk mundem. Obligon apo nuk obligon një vendim i Kuvendit siç ishte mocioni i miratuar. Ai mocion e obligon Qeverinë e Kosovës”, ka deklaruar Beqiri.

Deputeti dhe njëherë Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se për shkak të dialogut në Bruksel, Kosova në arenën ndërkombëtare shihet si Kosovë e dialogut Kosovë-Serbi. Sipas tij, kot shpenzohen para të buxhetit të Kosovës për imazhin e Kosovës, imazhin qeveria po e betonon në marrëdhënie me Serbinë ku ashtuquajturi proces i normalizimit po e ndryshon Kosovën dhe jo Serbinë.

Kurti ka shtuar se Kosova është bërë shtet që e heq fjalën republikë nga emri vet karshi Serbisë, është bërë shtet pa integritet që eliminon pikat kufitare ndaj Serbisë, duke i shndërruar në pika kaluese.

Sipas tij, me aksionin e 14 janarit Vetëvendosja synonte që t’ ja merrte pushtetin Serbisë dhe t’ja jepte shtetit Kosovës që ai të forcohet.

“Na keni sharë e akuzuar. Keni shpifur për neve. Përveç se na quajtët faqezinj e vetëfundosje na krahasuat me kriminelin Veselinoviq e që siç thatë edhe Serbia ka hequr dorë prej tij, thuajse sot Serbia na qenka më e mirë se Veselinoviqi. Ky është ai shërbim i shkëlqyer i Serbisë nga kryeministri i Kosovës. Që të gjithë deputetët e tij duhet të dini se nuk e prodhoj Zvonko Veselinoviqi Serbinë, por anasjelltas. Së fundi Serbia vetë e hoqi këtë kriminel në mënyrë që presidenti Tadiq të vij në Deçan dhe të thotë që asnjë herë nuk do të i heq strukturat e Serbisë, të cilat janë rifreskuar”, ka thënë Kurti.

Ndërsa Visar Ymeri, shef i GP të Vetëvendosjes, ka thënë se tendenca e qeverisë për normalizim të marrëdhënieve me Serbin sjell nënshtrim politik e ekonomik ndaj Serbisë. Ai duke e quajtur mocionin e PDK-së si qesharak, ka vlerësuar se me këtë mocioni Kosova po i nënshtrohet Serbisë.

“Mocioni i PDK-së tregon qartë se nuk ka masa reciproke se aty thuhet që qeveria i ka kompetencat dhe e përgënjeshtron atë që ka thënë qeveria, kur na thoshin se jemi në masa reciproke. Pra, kemi harruar me i njoftuar që jeni tu e bo një gjë të tillë. Mocioni e dobëson kuvendin, ky mocion synon t’ja nënshtroj kuvendin qeverisë e cila veçse i është nënshtruar. Mocioni është qesharak, nuk mund t’ja caktojmë qeverisë kompetencat me një mocion, janë kushtetuta që ja caktojnë kompetencat. Mocioni kërkon nga kuvendi t’i nënshtrohemi Serbisë dhe t’i rrahë qytetarët”, ka thënë Ymeri.

Për më tepër, ai ka shtuar se detyrë e Kuvendit është t’i vihet në kundërshtim Qeverisë kur ajo është në kundërshtim me interesat e vendit.

Nga ana tjetër, deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka thënë se nuk guxon të rrihet deputeti, duke shtuar se kjo mund të ndodh vetëm në disa vende siç është Koreja e Veriut. “Të përdoret çizmja e Qeverisë ndaj deputetëve është e dëmshme”, ka thënë Gashi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›