E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misioni i ODIHR-it fut në filtër rekomandimet e raportit të BE-së



Eljona Ballhysa
Një mision i posaçëm nga OSBE/ODIHR-i ka vizituar dje vendin tonë, ku ka parë nga afër përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe në veçanti realizimin e rekomandimeve të bëra nga ky mision pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Gjatë ditës së djeshme, anëtarët e misionit të ODIHR-it kanë zhvilluar një sërë takimesh me personalitete të larta të politikës shqiptare, me të cilët kanë biseduar për përgatitjet për zgjedhjet, për reformën zgjedhore, për listat e zgjedhësve dhe për çështje të tjera që lidhen me situatën aktuale politike në vend. Delegacioni i ODIHR-it mësohet se në përfundim të takimeve do të dalë me një deklaratë për mediat, ku do të bëjë të qartë qëndrimin e tij për situatën politike në vend. Vizita e këtij misioni zhvillohet në kulmin e debateve politike dhe në një moment kur reforma zgjedhore dhe rekomandimet e ODIHR-it nuk kanë gjasa të rikthehen në vëmendjen e politikanëve, megjithëse zgjedhjet vendore janë në prag.
Shqetësimi
Delegacioni i ODIHR-it ka zhvilluar dje një takim me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. Gjatë këtij takimi mësohet se anëtarët e delegacionit janë interesuar në veçanti në lidhje me hartimin e listës së zgjedhësve. Ministri Basha ka theksuar se janë marrë të gjitha masat në mënyrë që procesi të jetë i rregullt, ligjor, transparent dhe brenda standardeve ndërkombëtare. Ai ka bërë me dije se pavarësisht se zgjedhjet e 8 majit nuk janë politike, por për pushtetin vendor, gjithçka po trajtohet me seriozitetin më të madh. Ministri Basha u ka bërë me dije përfaqësuesve të ODIHR-it se reforma zgjedhore, në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, vlerësohet si shumë e rëndësishme nga maxhoranca qeverisëse. Për ministrin Basha shumica qeverisëse i ka ofruar opozitës të drejtën për të bërë të gjitha propozimet e ndryshimet që ajo dëshiron në ligjin zgjedhor dhe se maxhoranca do t’i votojë ato.
Edhe zëvendësministri Haxhinasto, gjatë takimit me përfaqësuesit e misionit të ODIHR-it ka shprehur shqetësimin për mungesën e pjesëmarrjes së opozitës në procesin e hartimit të reformës zgjedhore.
“Ajo që është e rëndësishme, është fakti që misioni i OSBE/ODIHR-it ka lënë disa rekomandime për t’u zbatuar nga ana e të gjitha institucioneve të administrimit të zgjedhjeve dhe veçanërisht ajo çka nënvizohet në këto rekomandime është kërkesa për angazhim të të gjitha forcave politike. Mendoj se është e domosdoshme që çdo parti politike, edhe opozita aktuale, duhet të ndajë çështjen e retorikës politike nga domosdoshmëria e saj për të garantuar një administrim zgjedhor, një proces zgjedhor në përputhje të plotë me standardet e OSBE/ODIHR-it”, - është shprehur Haxhinasto. Sipas zëvendëskryeministrit, problemi më shqetësues mbetet mosrealizimi i reformës zgjedhore. “Ekziston një raport i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e kaluara, janë disa rekomandime, të cilat duhet të realizohen. Reforma zgjedhore nuk mund të realizohet nga një parti ose dy parti, apo me koalicion qeverisës. Duhet të jetë produkt i përbashkët i të gjitha forcave politike”, - është shprehur Haxhinasto.
Misioni i ODIHR-it është takuar dje edhe me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, i cili i ka njohur përfaqësuesit e këtij misioni me qëndrimin e LSI-së për reformën zgjedhore. “LSI-ja ka propozuar që reforma zgjedhore, nëse kryhet, të përqendrohet në këto aspekte: adresimi i duhur ligjor i konfliktit të interesave që ekziston te roli që kanë kryetarët e bashkive dhe të komunave në përgatitjen e zonave të qendrave të votimit dhe të listave të zgjedhësve; përcaktimi më i qartë i kritereve të caktimit të qendrave të votimit dhe e vendeve të numërimit të votave në ambientet private; duhet përmirësuar më shumë aksesi i pjesëmarrësve në procesin zgjedhor, veçanërisht duhet sqaruar ligjërisht dhe njëherë e mirë procedura e rinumërimit të votave në KQZ; duhen hartuar rregulla moderne për financimin e partive politike në zgjedhje”, - është shprehur Meta.

BOX
Rekomandimet e OSBE-së për reformën zgjedhore

Partitë politike që të tregojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike.

Ato duhet të realizojnë detyrat e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme, në interesin e përgjithshëm të Shqipërisë.

Duhet të ndryshohen dispozitat ligjore në lidhje me përsëritjen e zgjedhjeve në një zonë zgjedhore.

Duhen përfshirë mekanizma që mund t’u japin zgjedhësve si individë të drejtën e ankimit në rast të shkeljes së të drejtave të tyre zgjedhore.

Financimi publik të fushatave zgjedhore të mos u japë avantazh disproporcional dhe të padrejtë partive parlamentare.

Eliminim i çdo lloj mundësie për abuzim apo bllokim të procesit nga partitë politike.

KQZ-ja duhet të përdorë më shumë autoritetin e saj të gjerë që i jep Kodi Zgjedhor, sidomos kundrejt komisioneve zgjedhore të nivelit më të ulët.

Duhet të intensifikohet dhe të përmirësohet trajnimi i anëtarëve të KZAZ-ve, KQV-ve dhe Grupeve të Numërimit.

Banka e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile duhet të pastrohet më tej
dhe të përditësohet me qëllim që të përmirësohet cilësia e listave të zgjedhësve.

Partitë politike duhet të marrin hapa vendimtare për të siguruar që mbi punonjësit e sektorit publik, aktivistët politikë apo qytetarët e tjerë të mos ushtrohet presion qoftë për të marrë pjesë në aktivitete të fushatës.

Kandidatët që konkurrojnë duhet të lejohen të vëzhgojnë numërimin në mënyrë të barabartë.

Duhet të rishikohen dispozitat e Kodit Zgjedhor që përcaktojnë kuota gjinore për listat e kandidatëve, jo vetëm në mënyrë që të plotësohet standardi prej 30% i kërkuar në ligjin “Për barazinë gjinore në Shoqëri”, por edhe për të mbyllur hapësirat që i lejojnë partitë t’i shmangen qëllimit të vetë ligjit.

Komisioni i Ligjeve
Kontrolli i financave të partive do të bëhet nga KQZ-ja

Partia Demokratike ka votuar e vetme dje ndryshimet në ligjin “Për partitë politike”, që parashikojnë që kontrollin e financave të partive ta bëjë KQZ-ja dhe jo KLSH-ja. Pikërisht për këtë arsye, ky draft nuk është votuar dje nga anëtarët socialistë në Komisionin e Ligjeve. Deputetët socialistë kërkuan gjatë debatit në Komision që e drejta e hetimit të financave të partive t’i lihet KLSH-së, pasi është institucion kushtetues, ndryshe nga KQZ-ja. Por, demokratët në Komision bënë të ditur se auditi i burimeve financiare të partive nuk bëhet nga KQZ-ja, por nga një ekip ekspertësh kontabël. Socialistët refuzuan votimin e ligjit nen për nen, ndonëse demokratët aprovuan një pjesë të propozimeve të tyre. Një ndër ta ishte që ekspertët kontabël që do të bëjnë transparencën e financave të partive të mos kenë më pak se 5 vjet punë.
Përmbajtja e këtij projektligji është një harmonizim i dispozitave ekzistuese i ligjit aktual “Për partitë politike” me rregullat e reja të parashikuara në Kodin Zgjedhor.
Nga përmbajtja e këtij drafti rezulton gjithashtu se autoriteti kontrollues i raporteve financiare të partive politike do të jetë vetëm KQZ-ja, duke hequr nga ky proces Kontrollin e Lartë të Shtetit. Ky ndryshim është bërë me argumentin se KQZ-ja tanimë përbën një mekanizëm të pavarur dhe për pasojë ekziston mundësia e dhënies së mandatit, autoritetit dhe burimeve të mjaftueshme për të mbikëqyrur efektivisht dhe paraprakisht financimin e partive politike, për të hetuar dyshimet e shkeljeve të rregullave të financimit politik dhe, sipas nevojës, për të vendosur sanksione, duke argumentuar se kjo e drejtë buron edhe nga Kodi Zgjedhor. Në të njëjtën kohë, heqja e kompetencës kontrolluese e Kontrollit të Lartë të Shtetit është një proces i filluar plot 10 vjet më parë me një vendim të marrë nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka shfuqizuar pjesërisht kompetencat e këtij organi. Në projektligj thuhet se çdo parti politike duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, sipas formatit të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shumën e fondeve të përfituara nga çdo person, fizik ose juridik, si dhe të dhëna që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit.

Rekomandimet e GRECO-s

GRECO, grupi i shteteve kundër korrupsionit në Këshillin e Europës, ka bërë pak kohë më parë disa rekomandime për Shqipërinë, ku përfshihet edhe transparenca për fondet e partive politike. Në lidhje me transparencën e financimit të partive GRECO pranon se Shqipëria është e angazhuar aktualisht në një proces që synon të korrigjojë nivelin e ulët të transparencës në financimin e partive shqiptare. Por, sipas tij, duhet zhvilluar një mekanizëm i pavarur dhe i fuqishëm për monitorimin e financimit të fushatave zgjedhore dhe fondet e partive në përgjithësi, pasi regjimi aktual nuk ka efekt mbi përgjegjësitë e përbashkëta të institucioneve të ndryshme. GRECO vlerëson gjithashtu se ekziston një nevojë e qartë për të përputhur ligjin “Për partitë politike” me standardet e Kodit të ri Zgjedhor në lidhje me transparencën e financave të partive politike.

19 Janar 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›