Politika që ha veten me çimka
Videoja e fundit e përgjimit që Dritan Prifti i bëri ish-mikut të tij, Ilir Meta, nxori në pah faktin se kjo praktikë është kthyer në mjetin më të ashpër politik në Shqipëri, mbase më rezultativi. Në katër rastet tipike që kanë ndodhur gjatë tre viteve të fundit, tre prej tyre janë bërë nga protagonistët e politikës, dhe jo nga mediat. Televizionet kanë shërbyer thjesht si përcjellës në opinionin publik. Por, dalja në publik e “bisedave” të tavolinës së ministrave është pjesë e realitetit shqiptar. Njëherë e një kohë ishte KPD-ja e famshme, ku gjërat thuheshin “live”. Ndërsa sot, edhe sikur të mos dalin “videot sekrete”, do të mjaftonte një seancë në Kuvend për të shuar të gjithë kureshtinë.
Çimka e Ngjelës
Në zenitin e tij politik në Partinë Demokratike, Spartak Ngjela përgjoi një bisedë në selinë e Kryesisë së Kuvendit me kryetarin e PD-së, njëherësh edhe kryeministër, zotin Sali Berisha. Pas një periudhe të gjatë marrëdhëniesh të acarta, Avokati vendosi që të regjistrojë bisedën me të në vitin 2009, disa muaj para zgjedhjeve, pasi kishte vendosur që të shpallte luftën. Gjithçka u bë me gjakftohtësi dhe Ngjela e provokoi bisedën për ta çuar në grackë Berishën, lëvizje kjo që nuk i dha fitore politike më pas. Biseda e transmetua në TV Top Channel dhe shkaktoi bujë, por që u mbyll shpejt. Ky akt e largoi për të disatën herë, më keq se në të gjitha rastet, jo vetëm nga Berisha, por edhe nga e djathta, Avokatin e njohur. Por, për herë të parë u fut në përdorimin e fjalorit politik fjala “çimkë”, ndonëse gjëra të tilla kishin ndodhur edhe më parë (biseda e ish-drejtorit të Aviacionit Civil dhe dhëndrin e ish-presidentit Moisiu, pronar i një kompanie ajrore).
Pango dhe videoja seksi
Ndryshe nga çimka e Ngjelës, ministri i Kulturës së asaj kohe, Ylli Pango, ra viktimë e sjelljes së tij jo vetëm politike. Ekipi i emisionit “Fiks fare” e regjistroi atë, përfshirë edhe në mjediset e shtëpisë së tij, pas ftesës së bërë nga “viktima” me një person të paraqitur si kandidate për t’u punësuar në Ministrinë e Kulturës. Zoti Pango u zbut dhe gjatë gjithë bisedës së regjistruar me pamje filmike, ai tregoi natyrën e tij prej shtetari dhe ministri. Dalja në publik solli tronditje dhe ndëshkim të gjithanshëm për vetë ministrin Pango. Ndonëse ai i fitoi betejat ligjore me Prokurorinë dhe Gjykatën, karriera e tij politike ra në kuotat zero. Por, zoti Pango nuk e vazhdoi betejën me Top Channel-in. Videot e shumta të publikuara në “You tube” tentuan për t’u ndaluar në lundrimin në mijëra faqe në internet. Në një faqe të një shoqate shqiptare, me rezidencë në Kanada, doli një video humoristike, ku në qendër ishte skandali i ministrit Pango, por kompania “You tube” kërkoi bllokimin e saj, me siguri, pas ankesave të shumta që kishte bërë vetë i dëmtuari.
Monitorim me “stilolapsa”
Sikur të mos mjaftonin dy rastet e para, në kohën e humbjes së besimit mes maxhorancës dhe opozitës, Partia Socialiste vendosi që të ruante zgjedhjet me “stilolapsa spiunë”. Por, shërbimet speciale në Ministrinë e Brendshme arritën që të zbërthenin skemën dhe të parandalonin regjistrimin e fshehtë në qendrat e votimit dhe të numërimit. Në të paktën dy operacione, në Kombinat dhe në Shijak, u kapën komisionerë të PS-së me stilolapsat e çuditshëm, me të cilët ishte parashikuar mbajtja nën vëzhgim e procesit, pse jo, edhe për gjëra të tjera. Por, policia arriti që të kapte poseduesit e këtyre mjeteve regjistruese me “presh në duar”.
Videoja me biseda në zyrë
Pas gjithë këtyre rasteve, një tjetër ngjarje erdhi në linjën e këtyre historive. Dritan Prifti, ish-themeluesi i LSI-së, me ish-mikun e tij, Ilir Meta, e regjistron këtë të fundit, enkas, në zyrën e tij. Prifti, i mësuar me denoncimin e aferës 1 miliardë dollarëshe me ish-kryeministrin Nano, nuk i kursen mjete të tilla politike për të luftuar atë që sot është bërë “armiku” i tij. Siç e thotë edhe vetë zoti Prifti, ka edhe video të tjera me biseda të regjistruara në ambiente të ndryshme. Kjo video përgjimi solli reagimet më të ashpra dhe u pasua me dorëheqjen nga të gjitha postet qeveritare dhe paraqitjen në Kuvend të dorëheqjes së imunitetit. Tashmë, kjo video, e ideuar dhe prodhuar nga politika, është në dorën e Prokurorisë.
Në të gjitha këto raste, vetëm skandali “Pango” është i ndryshëm për paraqitjen dhe natyrën e tij. Në rastet e tjera, “çimkat” janë produkte të politikës, madje pjellë e koniunkturave “brenda familjes”, në kushtet kur ka humbur besimi i ndërsjellë mes palëve dhe miqësia kthehet në armiqësi, deri në asgjësim. Të gjitha këto tregojnë se politika po ha veten me çimka.
19 Janar 2011