E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët e QSUT-së, sot në protestë

Mjekët e QSUT-së do të pezullojnë punën e tyre duke nisur nga dita e sotme. Vendimi i bluzave të bardha do të pasohet edhe me një seri të re protestash, të cilat kanë në thelb mbrojtjen e dinjitetit dhe jetës së mjekut. Ky reagim merr shkas nga plagosja e para disa ditëve e mjekut endokrinolog Agron Ylli. Rasti i sulmit të mjekut, Ylli në klinikën e tij private, shënon edhe të tretin e këtij lloji ndaj bluzave të bardha,çka ka bërë që reagimi i kolegëve të jetë ekstrem. Muaj më parë të njëjtin fat pësoi edhe kardio kirurgu Ali Refatllari dhe mjeku neurolog i spitalit të Vlorës, Kosta Koçiu. Ditën e sotme, mjekët dhe shefat e shërbimeve të spitalt "Nënë Tereza", do të fillojnë protestën e parë, duke kërkuar nga qeveria dhe autoritetet përkatëse të garantojë jetën e mjekëve, ndërsa ndaj opinionit, respekt ndaj bluzave të bardha. Nga sindikata e mjekëve dhe infermierëve të QSUT-së është njoftuar se do të ndërpriten operacionet në të gjitha shërbimet, përveç atij të urgjencave. Në një komunikim me telefon shefi i neurokirurgjisë, Mentor Petrela, ka konfirmuar për Ora News se, vendimi për të rifilluar punën do të merret vetëm pasi të jenë plotësuar kërkesat e mjekëve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›