Moisiu: Gërdeci, deri tani jemi marrë me bishtat
Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, flet për
Gërdecin dhe zgjedhjet
TIRANË- "Gërdeci ishte një krim i lartë shtetëror, që nuk ka lidhje me ushtrinë". Kështu u shpreh dje, ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, në një intervistë televizive. I pyetur pikërisht për tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, Moisiu theksoi se organi i akuzës duhet të merret me përgjegjësit kryesorë. Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, shtoi se një ngjarje e tillë është turpi i politikës shqiptare. "Gërdeci ka qenë krim i lartë shtetëror dhe aspak nuk ka të bëjë me ushtrinë. Faji që duan t'ia hedhin ushtrisë është për të futur në valle sa më shumë njerëz për të shpërndarë përgjegjësinë, që të ulet përgjegjësia ligjore. Kalimi i demontimit të municioneve nga udhëzimet ushtarake në duart e privatëve, bëhet për qëllime të qarta të përfitimit ekonomik të personave që ishin në krye të ushtrisë dhe të qeverisë. Ky është një turp për politikën shqiptare. Kryeministri ka përgjegjësinë e tij, kjo nuk diskutohet. Prokuroria duhet inkurajuar dhe mbështetur, por duhet të përgjigjet ai që duhet të përgjigjet, jo bishtat. Duhet të përgjigjet koka dhe ne deri tani jemi marrë me bishtat",- tha dje Moisiu. Ish- Presidenti i Republikës preku edhe çështjen e zgjedhjeve dhe cilin subjekt politik sheh si kandidat favorit. "Shpresoj që, pavarësisht nga mendimi dhe nevoja për të bërë akrobaci në zgjedhje, të merret shkas nga zgjedhjet e 2005-ës, ku rotacioni u bë në mënyrë paqësore. Ashtu siç kanë vlerësuar edhe analistët, duhen dy rotacione paqësore, për të pasur një shtet të pjekur. Në qoftë se ne do dështojmë në këtë, kjo do të jetë një '97-të e dytë",- tha ai. Ish-Presidenti i Republikës u shpreh optimist për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke theksuar se kjo është meritë e shqiptarëve dhe ushtrisë që u vlerësua për reformat e arritura.