E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers, sot takim me Topin në Presidencë

Prezantohet kreu i USAID-it, por do diskutohet dhe për situatën politike
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers, do të zhvillojë sot paradite një takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Siç mësohet nga burime të “Shqip”, kreu i shtetit shqiptar ka planifikuar një audiencë të veçantë në Presidencë me kryediplomatin e Uashingtonit, takim në të cilin do të prezantohet shefi i ri i USAID-it në Shqipëri. Edhe pse objekti i këtij takimi është i përcaktuar, pritet që biseda të përfshihet edhe në diskutimin e situatës politike në Shqipëri.
Prej fillimit të këtij viti ka nisur një aktivitet i dendur diplomatik nga komuniteti ndërkombëtar për rikthimin e normalitetit në politikën dhe institucionet shqiptare. Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara mbeten padyshim aktorët më të rëndësishëm në promovimin e një zhvillimi sipas standardeve demokratike të Shqipërisë. Pas takimit të sotëm që do të zhvillohet mes Presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, John Withers, pritet të dalë edhe një mesazh i rëndësishëm politik si nga diplomati i Uashingtonit ashtu dhe nga kreu i shtetit. Por vetë takimi në Presidencë tregon në fakt një mesazh të rëndësishëm që i jep Presidentit komuniteti ndërkombëtar. Si Bashkimi Europian ashtu edhe Këshilli i Europës e kanë cilësuar Presidentin Topi si faktorin më të rëndësishëm për të ndërmarrë një negocim mes mazhorancës dhe opozitës për zgjidhjen e krizës. Ndërkaq në lidhje me situatën aktuale, qëndrimi i qeverisë së Shteteve të Bashkuara nuk ka ndryshuar dhe mbetet i njëjtë me atë që ambasadori Withers e ka shprehur në dhjetorin e kaluar gjatë një interviste për median shqiptare. Në këtë qëndrim, ambasadori i SHBA-së ka theksuar: “Ne amerikanët jemi shumë të shqetësuar për situatën politike në Shqipëri sot. Nevojshmëria që ne shohim është që partitë të gjejnë një mënyrë për ta zgjidhur këtë ngërç, në interesin e madh të këtij vendi. Ne shpresuam që anëtarësimi në NATO dhe zgjedhjet e 28 qershorit do të ishin pararendëset e një kalimi të butë të demokracisë në standarde europiane. Por në vend të kësaj, ne kemi një përplasje të hidhur, me fjalë të ashpra, me fyerje personale, me kërcënime politike të një lloji apo një tjetër sa nga një parti te tjetra, dhe më e rëndësishmja ne nuk po shohim kanale komunikimi midis partive që do ta adresonin situatën dhe, ndoshta, do ta zgjidhnin këtë konflikt. E dini, fyerjet personale nuk kanë vend në një dialog demokrat. çështjet debatohen, debatohen edhe fuqishëm, jo gjithnjë mund të bihet dakord mbi mendimet, por nuk përmendet sfondi personal i partisë tënde rivale. Kjo sjellje është humbje për standardet ndërkombëtare të Shqipërisë, qoftë si një anëtare e NATO-s, ashtu edhe si një kandidate e ardhshme e BE-së. Prandaj dhe ne i bëjmë thirrje lidershipit politik të të dyja palëve, që të lënë mënjanë këtë sjellje të ndezur dhe të kërkojnë mënyra për të folur me njëri-tjetrin, që vendi jo vetëm të mund të drejtohet, por të mund të drejtohet ashtu si duhet. është shumë e rëndësishme që ato kanale, që kanë ekzistuar në të kaluarën, të hapen sërish, në mënyrë që të dyja palët të nisin të gjejnë një zgjedhje për vështirësitë që po kalon vendi sot”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›