E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesat, Ylli Pango rrezikon rrogën e deputetit

Mungesa në komisione dhe në seanca ka bërë që Kuvendi të nisë procedurat për t'i ndërprerë atij tërësisht trajtimin financiar. Kuvendi i ka kërkuar zyrtarisht deputetit demokrat që të përligjë mospraninë e tij, por Pango heziton 

TIRANE-Pas publikimit në media të videos-skandal, ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pangos rrezikon t’i pritet dhe rroga nga Kuvendi, përfitim që i krijon statusi i tij si i zgjedhur i popullit. Sipas një të përditshmeje, mungesa në komisione dhe në seanca ka bërë që Kuvendi të nisë procedurat për t'i ndërprerë atij tërësisht trajtimin financiar.
Kjo pasi ish-ministri i kulturës, Ylli Pango, duhet të justifikojë mungesat e gjata në Kuvend, ndryshe nuk do të marrë rrogën dhe dietat që përfiton një i zgjedhur nga populli.
Zyra e Shërbimit të Burimeve Njerëzore dhe e Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, i ka kërkuar zyrtarisht deputetit demokrat që të përligjë mospraninë e tij në 5 prej seancave të muajit mars, dhe më konkretisht seancat e datës 16, 19, 23, 26 dhe 30 të muajit që lamë pas.

Pavarësisht se mban ende mandatin e deputetit të fituar në nëpërmjet garimit në mënyrë të drejtpërdrejtë në zonën zgjedhore 37, Pango, ka vendosur të bojkotojë tërësisht dhe jetën parlamentare, si e vetmja mënyrë për t'iu shmangur ballafaqimit me deputetët e tjerë, të cilët një ditë pas shfaqjes së videos, nuk nguruan ta cilësojnë aktin e tij të turpshëm, si dhe ta konsiderojnë atë si ish-koleg.

Mungesa në komisione dhe në seanca ka bërë që Kuvendi të nisë procedurat për t'i ndërprerë atij tërësisht trajtimin financiar, një masë kjo që jo gjithmonë zbatohet njësoj për të gjithë deputetët. Ish-kryeministri Nano është njëri prej deputetëve që frekuenton sallën e Kuvendit një herë në 6 muaj dhe kryetarja e parlamentit nuk ka treguar të njëjtën rreptësi me të.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›