NATO pranon gabimin, s'kërkon falje
NATO ka refuzuar të kërkojë falje për sulmin vdekjeprurës ndaj tankeve të kryengritësve libianë, ngase gjendja në terren ishte "tejet fluide".
Më 7 prill, afër qyteti lindor Brega, si pasojë e një sulmi të NATO’s u godit gabimisht një tank i kryengritësve.
Zëvendëskomandanti i operacioneve të NATO’s në Libi, kundëradmirali Rasell Harding, deklaroi se Aleanca para të enjtes s’kishte informacione se kryengritësit po përdornin tanke.
"Nuk po kërkoj falje. Situata në teren ishte skajshmërisht fluide dhe ende mbetet e tillë. Deri të enjten s’kishim informacion se forcat e opozitës po përdornin tanke", theksoi ai.
Ndërkohë, kryengritësit libianë e kanë mirëpritur marrëveshjen paqësore të Turqisë, që bënë thirrje për armëpushim dhe kërkon që forcat besnike të Moammar Gaddafit të tërhiqen nga qytetet e rrethuara në perëndim të vendit. Udhëheqësit e kryengritësve u shprehën të gatshëm të pranojnë propozimin turk, nëse Gaddafi dhe familja e tij e braktisin vendin.
Kryeministri turk, Tayip Rejep Erdogan, pohoi se propozimi do të diskutohet gjatë takimit për Libinë që javën e ardhshme mbahet në Katar. Erdogan theksoi se Turqia i mbështetë kërkesat e kryengritësve.