Nano: Si e mora drejtimin e Partisë Socialiste
Ish-kryeministri
Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano, rrëfen momente të jetës së tij që nga fëmijëria, hyrja e tij në politikë, si u bë Kryeministër dhe si pranoi të drejtojë partinë. Në një intervistë për emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, Nano foli për marrëdhëniet me prindërit e tij, adoleshencën, mënyrën e jetesës, shkollimin dhe përballjet e tij të para me Ramiz Alinë apo Gramoz Ruçin. Nano analizoi marrëdhëniet në familjen e tij, përpjekjet e mbijetesës në fund të viteve ’80, përshtypjet për Nexhmije Hoxhën e Gramoz Pashkon, ashtu sikurse pse nuk u bë pjesë e Partisë Demokratike. “Natyrisht ma kërkoi Ramiz Alia, me një mandat si sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe më pas si zëvendëskryeministër, kur u duk qartë se nuk funksiononte në qeverinë e Adil çarçanit, as një mandat i precizuar për reforma ekonomike. Më 25 shkurt unë mora qeverinë në kushte emergjence. Shumica e qeverisjeve të mia kanë qenë në kushte emergjence, edhe në ’97-n, edhe më 14 shtator 1998. E vetmja periudhë kur unë munda të qeveris në mënyrë normale dhe në përputhje organike me mandatin e programit, ishte periudha 2002-2005”, tha Nano. Ish-kryeministri rrëfen se ajo që njihet publikisht si hezitim i tij ishte marrja e postit të kryetarit të Partisë Socialiste, jo të Kryeministrit. “Unë priresha për karrierë ekzekutive, pra administrative dhe jo politike. Përfaqësova i pari Shqipërinë në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit në Zvicër më 1991. U nisa si sekretar i përgjithshëm nga Tirana dhe më priti sekretarja e Forumit Ekonomik, për të më dhënë lajmin: Mirë se erdhët zoti zëvendëskryeministër! Gjatë kohës që unë udhëtoja, kishte dalë dekreti dhe unë nuk e dija”, vijoi ai. Lidhur me momentin e mandatit si kryetari i PS-së, pas largimit të Ramiz Alisë, Nano thotë se faktor vendimtar ka qenë nëna e tij. “Në Kongresin e 10 të partisë, zgjedhjet dhe propozimet për kryetar do të bëheshin pasdite. Në momentin që dola nga shtëpia pas drekës, më përcjell nëna në korridor me lot në sy dhe më thotë: “Bir, në duart e kujt do të na lësh?” Ajo ka qenë partizane, ish-mësuese dhe vetëm ajo më theu. Unë me lotët e nënës mora vendimin. Mora vendimin që kishte koshiencën e sakrificës përfshi edhe burgun brenda. U ndava nga lotët e nënës dhe iu dorëzova koshiencës dhe inkoshiencës se eksklamacioneve të sallës, që thërriste “Fatos Nano! Fatos Nano”, deklaroi ai.
#