Regjistrimi pa emigrantët, i padrejtë
Reagon konstitucionalisti Luan Omari. Pollo: Nuk sjell asnjë pasojë negative
Debati për regjistrimin e popullsisë shqiptare në vitin 2011 është thelluar edhe më shumë ditët e fundit, nisur nga problemet që has ky proces për sa i përket përfshirjes së emigrantëve. Kësaj radhe ishte ministri i Shtetit, Genc Pollo, ai i cili hapi debatin, duke deklaruar prej dy ditësh se emigrantët shqiptarë nëpër botë nuk do të jenë pjesë e procesit të regjistrimit të popullsisë. Sipas tij, regjistrimi i tyre nuk është i mundur, për shkak se vendbanimi i tyre nuk është më Shqipëria. I menjëhershëm ka qenë reagimi i konstitucionalistit Luan Omari, i cili për gazetën “Shqip” theksoi se është absurde që procesi i regjistrimit të lërë jashtë çerekun e popullsisë shqiptare, e cila jeton dhe punon jashtë vendit.
Pollo
Ministri i Shtetit, Genc Pollo, deklaroi dje nga foltorja e Kuvendit se është e pamundur që procesi i regjistrimit të popullsisë në vitin 2011 të përfshijë edhe emigrantët shqiptarë. Sipas tij, janë vetë emigrantët që janë të painteresuar për këtë proces. Në këtë kuadër, Pollo mori si shembull edhe numrin e vogël të emigrantëve që kanë marrë pjesë në proceset e votimit në vend. “Regjistrimi i emigrantëve nuk është i mundur realisht. Ata nuk mund të vijnë për këtë proces, sepse nuk kanë ardhur as për votime”, deklaroi ministri Pollo. Madje, ai shtoi se edhe në rast se ata ndodhen në Shqipëri në momentin e regjistrimit, ata nuk mund të mund të regjistrohen, pasi nuk kanë një adresë vendbanimi në Shqipëri. Nga ana tjetër, Pollo theksoi se kjo praktikë është e pranishme edhe në vende të tjera të botës dhe se besonte se mosregjistrimi i emigrantëve nuk do të sillte asnjë pasojë negative. Po kështu, Pollo ritheksoi se regjistrimi sipas etnisë dhe fesë, jo vetëm që nuk ishte një detyrim për Shqipërinë, por madje nuk ishte as rekomandim. Por, sipas tij, kjo masë po ndërmerrej nisur nga arritjet e Shqipërisë në fushën ekonomike dhe atë të integrimit.
Omari
Konstitucionalisti i mirënjohur, Luan Omari, deklaroi dje për “Shqip” se mospërfshirja e emigrantëve në procesin e regjistrimit ishte e padrejtë dhe e pakuptimtë. “Afro një e katërta e popullsisë sonë është në emigracion dhe këta janë pjesë shumë vitale e shoqërisë sonë dhe nga kjo pikëpamje do të ishte e padrejtë dhe e pakuptimtë që ata të përjashtoheshin nga çdo regjistrim në vendin tonë”, theksoi Omari. Sipas tij, ishte e udhës që nisur nga kjo problematikë të mos bëhej një regjistrim me vetëdeklarim, por procesi i regjistrimit të kryhej nëpërmjet regjistrave, që në vendin tonë kanë të dhëna edhe për emigrantët. “Në këto kushte do të ishte e udhës që regjistrimi të bëhet vetëm nga të dhënat dokumentare, pa pyetur për personin e interesuar, duke përfshirë këtu edhe emigrantët, të cilët i kanë të dhënat e tyre në Shqipëri”, sugjeroi Omari. Por, sipas tij, për këtë proces ekzistonte edhe mundësia e referendumit, ku të ishin vetë qytetarët ata që të vendosnin nëse donin ta bënin apo jo këtë proces.
#