E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ora e Tedit

Nuk i duhet më media për të shfaqur veten si model të orës. Violinisti Tedi Papavrami bëhet vetë ngjarje me ardhjen në Shqipëri. Misioni dhe ftesat, janë dy pikat e forta të axhendës së violinistit për të qenë në vendin e tij të lindjes. Zyrtarisht, në fillim viti ishte në Tiranë i ftuar nga vetë Kryeministri - kur më parë i mungonte një ftesë e tillë. Ndërsa tani Papavrami kthehet me mision, sërish me modelin e orës. Por këtë herë sofistikimi shpërblehet me një koncert që violinisti do ta realizojë për herë të parë në amfiteatrin e qytetit të Durrësit. Si ambasador i firmës së orëve Raymond Weil, pozimi i Papavramit është me histori.

Kur u gjend në Tiranë disa kohë më parë, për të njëjtin mision, violinisti ka treguar pasionin e tij për orët, se si dikur ka pasur koleksion orësh, ndërkohë që në arkivin e tij ruan me fanatizëm pesë-gjashtë orë që i takojnë Luftës së Dytë Botërore, dhuruar nga babai i tij.

Pozicioni i reklamuesit, paraqitja si model përballë auditorit shqiptar për Papavramin duket se ka qenë një pozicion i vështirë. Mungesa e violinës në këtë ardhje në Shqipëri e ka bërë ndoshta të ndihet ngushtë për t’ia liruar vendin firmës së famshme të orëve, megjithëse flitej për një kosto financiare nga pas. Pozat që mban mend kanë të bëjnë vetëm me violinën, madje mbi të ai ka interpretuar edhe një serial televiziv të shfaqur në Francë.

“Nëse ka diçka interesante që ngjit në preferencat e mia dhe me imazhin, mund ta shqyrtoj, por nuk është diçka që unë e kërkoj”. Lidhja e violinistit me reklamën e orëve të Raymond Weil, Papavrami e ka kujtuar si një ngjarje të thjeshtë kur presidenti i saj, Oliver Bernheim, e kishte uruar pas një koncerti në Gjenevë. Më pas një darkë dhe bisedat për muzikën e sollën në Tiranë tani si ikonë e orëve. “Ishte një seancë fotografish dhe unë jam mësuar me to edhe për sa i përket vetë zanatit tim, siç e dini fotografitë janë me violinë dhe po të kishin qenë fotografi pa violinë, ndoshta nuk do ishin kaq të natyrshme. Ishte një set fotografish që zgjati një orë dhe nuk ishte një ndryshim i madh në jetën time”, - ka treguar Papavrami.

Storcklli Caser, menaxhere e Raymond Weil, një firma botërore e orëve, e themeluar mbi ikonat e gjeneratave të artit dhe muzikës pat treguar se tashmë violinisti shqiptar është shndërruar në ambasador të Raymond Weil, në Shqipëri. “Filozofia e modeleve dhe koncepteve tona i adaptohet shumë mirë Papavramit, një artist më famë botërore”, - është thënë për violinistin.

Por siç duket ardhjet në Shqipëri të violinistit lidhen edhe me një dëshirë të fortë, të brendshme, për të ruajtur imazhin e emrit të tij, i cili ishte shndërruar për një kohë të gjatë në mister.

Ndaj dhe nuk ka hezituar, që kthimet e tij spontane të kërkonte gati i rebeluar ftesë zyrtare prej vendit të tij. Rasti i Papavramit është gati unik, duke e krahasuar me artistë të tjerë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Ndonëse, duke qartë që violinisti nguron të shpërthejë në skenat e këtushme, kjo për faktin se nuk beson tek publiku shqiptarë. Këtë e ka shprehur, por është dukur dhe qartë në repertorin e koncertit të fundit, duke iu rikthyer Paganinit disa herë. Gjithsesi këto janë orët e Tedit, sa herë kthehet në Tiranë, ku edhe në rastin si model ka mundur ta shfrytëzojë për koncertin e tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›