E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalohen celularët dhe duhani gjatë mbledhjeve

06/05/2009  KQZ harton rregulloren e organizimin dhe funksionimin të vet

Mungon mënyra e organizimit të personelit të shërbimit jocivil të KQZ-së

Përdorimi i celularëve, pirja e duhanit dhe marrja e fjalës pa leje janë tri ndalime që parashikon projektrregullorja që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratojë në mbledhjen e nesërme për organizimin dhe funksionimin e tij. Në të 51 nenet e këtij projekti përcaktohen në mënyrë të detyruar të drejtat detyrimet e anëtarëve dhe përfaqësuesve të politikës, por nuk parashikohet asnjë masë ndëshkimore për ata që nuk i respektojnë këto ndalime. Gjithashtu në të thuhet se pjesëmarrësit në mbledhjet e KQZ-së duhet të respektojnë rregullat e etikës dhe të komunikimit. Ndërsa mbledhjet e KQZ-së janë kurdoherë publike dhe zëdhënësi i KQZ-së merr masa për njoftimin e medieve dhe pasqyrim e mbledhjeve në to. Projekti, i cili pas miratimit do të shfuqizojë atë të hartuar në vitin 2005, është mbështetur në Kodin Zgjedhor. Në mënyrë të përmbledhur, ashtu siç thuhet edhe në nenin 1 të tij, “ky akt përcakton rregulla mbi organizimin dhe funksionimin e KQZ-së, duke përfshirë: kompetencat e kryetarit dhe zv/kryetarit, të drejtat dhe detyrimet e anëtarit të KQZ-së, procedurat për thirrjen, njoftimin dhe zhvillimin e mbledhjeve të KQZ-së gjatë periudhës zgjedhore dhe asaj jozgjedhore, procedurat e vendimmarrjes, organizimin e personelit të shërbimit civil dhe atij jocivil të KQZ-së, të drejtat dhe detyrimet e përfaqësuesve të partive politike në KQZ, mënyrën e marrjes dhe të administrimit të financimeve të aktivitetit të KQZ-së, si dhe rregullat mbi krijimin, administrimin dhe ruajtjen e dokumentacionit në KQZ”. KQZ-ja mblidhet si rregull çdo ditë gjatë periudhës nga caktimi i datës së zgjedhjeve deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Gjatë kësaj periudhe mbledhjet e KQZ-së mbyllen me përcaktimin e rendit të ditës për mbledhjen pasardhëse. Në periudhën tjetër të vitit ai mblidhet të paktën një herë në muaj. Në nenin 4 të projektit ritheksohet se kryetari dhe zëvendëskryetari i KQZ-së kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime si dhe anëtarët e tjerë të KQZ-së. Ndërsa kryetari drejton mbledhjet e KQZ-së dhe mbikëqyr përgatitjen e materialeve që do të shqyrtohen në mbledhjen, informon në mënyrë periodike anëtarët për veprimtarinë e administratës, përfaqëson institucionin në marrëdhëniet me të tretët, edhe zëvendëskryetari i KQZ-së kryen detyrat e mësipërme.

Vendimmarrja dhe llojet e votimit

Në shqyrtimin e projektaktit KQZ-ja vendos me votim të veçantë për përmbajtjen e çdo neni ose pjese, sipas rastit. Në çdo rast varianti i projektaktit do të votohet vetëm pasi të jenë votuar propozimet e tjera. Votimi në KQZ-së është i hapur. Votimi i hapur bëhet me ngritjen e dorës ose me deklarim. Votimi bëhet i fshehtë vetëm në rastet e parashikuara me ligj. Votimi i fshehtë bëhet sipas kësaj procedure: KQZ-ja miraton me vendim fletën e votimit të përgatitur nga sekretari i përgjithshëm; anëtarët e KQZ-së votojnë sipas rendit alfabetik të emrit; shënimi në fletën e votimit bëhet vetëm në dhomën e fshehtë; fleta e votimit hidhet e palosur në kutinë e votimit, në mënyrë që të mos lejojë identifikimin e votës. Çdo akt mund të shoqërohet, sipas rastit, me mendim paralel dhe/ose mendim pakice. Por përpara fillimit të shqyrtimit të çështjes drejtuesi i mbledhjes cakton kohën në dispozicion për çdo diskutues. Për anëtarët e KQZ-së koha e diskutimit është 2 herë më e madhe. Ndërsa pjesëmarrësit kanë të drejtë të rimarrin fjalën vetëm një herë për një kohë, si rregull, jo më shumë se 3 minuta, por gjithsesi jo më shumë se koha e diskutimit të parë. Vetëm në raste të veçanta drejtuesi i mbledhjes lejon pjesëmarrësit të rimarrin fjalën. Ashtu si edhe anëtarët e KQZ-së, përfaqësuesve të partive parlamentare u vihen në dispozicion në çdo rast materialet e rendit të ditës së mbledhjes së thirrur. Ata kanë të drejtë gjithashtu të marrin një kopje të akteve të KQZ-së pranë Zyrës së Protokollit. Përfaqësuesit e partive të tjera kanë të drejtë t’i tërheqin ato pranë sekretarit të përgjithshëm ose Zyrës Protokollit.

Financimet dhe buxheti i KQZ-së

Në projektrregulloren që pritet të miratohet nga KQZ-ja gjatë mbledhjes së nesërme, përcaktohet që KQZ-ja financohet jo vetëm nga buxheti i shtetit, por edhe nga donacione të huaja, me kusht që të mos cenohet pavarësia dhe autoriteti i këtij institucioni. Konkretisht, në të thuhet se KQZ-ja administron fondet e vëna në dispozicion nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme. Struktura e shpenzimeve miratohet me vendim të KQZ-së. Gjithashtu buxheti miratohet me vendim të KQZ-së, sipas afatit të përcaktuar nga Ministria e Financave. Ndërkohë çështjet që lidhen me financimin e subjekteve zgjedhore miratohen me vendim të KQZ-së. Por KQZ-ja mund të përfitojë donacione të huaja të ndryshme në bazë të legjislacionit në fuqi, me kusht që të mos cenohen pavarësia dhe autoriteti i tij. Administrimi i këtyre donacioneve do të bëhet sipas marrëveshjes me donatorët të miratuar në çdo rast me vendim të KQZ-së dhe sipas legjislacionit shqiptar në fuqi. Para pak ditësh qeveria shqiptare iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i shuar buxhetit të tij për përgatitjen e procesit të ardhshëm zgjedhor rreth 114 milionë lekë. Kërkesa erdhi pas miratimit prej tij të strukturës së shpenzimeve buxhetore për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2009, e cila në total kap shifrën 714 milionë lekë, ndërkohë që qeveria ka akorduar për KQZ-në vetëm 600 milionë lekë. Sistemi i survejimit të procesit të numërimit të votave, sistem i cili aplikohet për herë të parë në historinë e proceseve zgjedhore në vendin tonë, kap shifrën 203 milionë lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›