E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr e tym në varrezat e dëshmorëve

06/05/2009  Kryebashkiaku i Korçës mënjanon strukturat e tjera vendore në ceremoninë për nderimin e dëshmorëve

A po “privatizohet” gjaku i të rënëve...

Reagon prefektja e qarkut, Elfrida Zefi: Po përpiqen të përçajnë qytetarët

KORÇE- Bashkia e Korçës në një mënyrë tepër tinëzare, natyrisht dhe jo të ndershme, edhe pse pretendon për një politikë të re “përtej së majtës dhe së djathtës”, ka nxituar të përvetësojë gjakun e të rënëve, njësoj sikur të ishte një shesh ndërtimi. Në kundërshtim të plotë dhe të paprecedent, madje flagrant me Vendimin e Këshillit të Ministrave dhe Protokollit të Organizimit të Ceremonialeve, mori përsipër që këtë ceremoni ta kryejë vet, duke përjashtuar kështu të gjitha institucionet e tjera shtetërore. Dhe jo vetëm kaq, në të njëjtën kohë ka lënë të fyer edhe gjysmën e popullsisë së Korçës, pasi drejtuesi i bashkisë Korçë, Niko Peleshi, mendon dhe ëndërron, ose më mirë përpiqet të zhvillojë idenë se gjithë të rënët për çlirimin e atdheut i përkasin vetëm së majtës. E vërteta është se dëshmorët e atdheut kanë aspiruar për liri dhe demokraci, ndërsa ishte diktatori Hoxha ai që theu çdo ëndërr të tyre në mënyrën më barbare. Po kaq barbarisht ka vepruar ditën e 5 majit edhe kryebashkiaku Niko Peleshi, duke u përpjekur të privatizojë jo vetëm gjakun e të rënëve, por edhe ëndrrat e tyre për liri dhe demokraci.

Duket se politika e re “përtej se majtës dhe së djathtës” nuk ka asnjë ndryshim nga ajo e diktatorit Hoxha, sepse, sipas kësaj filozofie, “përtej së majtës dhe së djathtës”, qëndron vetëm ai regjim që kërkonte t’i kishte nën kontroll të gjithë, dhe t’i trajtonte të gjithë, sipas filozofisë më diktatoriale në gjithë Evropën Lindore.

Ceremonia

Me këtë fytyrë është shfaqur ditën e të rënëve kryebashkiaku Niko Peleshi, ose e thënë më qartë, së fundi, ka treguar fytyrën e vërtetë të tentimit të privatizimit të çdo ndjenje kombëtare. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një paturpësi dhe një mashtrim i vërtetë për popullin e Korçës. Se kush janë të rënët më mirë se Niko Peleshi e dinë vetë familjet e të rënëve. Kjo ka qenë fryma që ka përcjellë Prefektja e qarkut Korçë, prof dr. Elfrida Zefi gjatë një deklarate për shtyp. Në lidhje me këtë akt të papërgjegjshëm dhe të paprecedent, prefektja e qarkut Korçë, prof. dr. Elfrida Zefi, bëri të qartë se çdo veprim i bashkisë Korçë binte në kundërshtim të plotë dhe të hapur me legjislacionin e Republikës së Shqipërisë dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave për organizimin e ceremonialeve në Republikën e Shqipërisë, ku përcaktohen qartazi, angazhimi i personaliteteve dhe i përfaqësuesve të komuniteteve të tjera, përfshi këtu edhe komunitetet fetare për sa u përket festave zyrtare dhe publike. Zbatimi i legjislacionit të përmendur më sipër jo vetëm që është i detyruar, por në të njëjtën kohë bëhet në përputhje të plotë me traditën, nevojat e komunitetit dhe pjesëmarrjen e personaliteteve. Ndryshe nga sa më sipër, Bashkia e Korçës ka tentuar të thyejë traditat e kësaj zone, respektin dhe kulturën që mbart ky rajon, si për të treguar se “përtej së majtës dhe së djathtës” është privatizimi i gjithçkaje, ashtu si në kohën e diktatorit Hoxha. E megjithatë, edhe pse ndodhi kështu, gjithë institucionet e tjera, përfshi këtu institucionin e prefektit dhe Këshillin e Qarkut Korçë dhe qytetarët që mbështesin institucionet e shtetit shqiptar treguan mirënjohje dhe respekt ndaj të rënëve, duke u kumtuar në fjalën e tyre se tashmë ëndrra e të vrarëve për liri dhe demokraci është një realitet. Të rënët dhe familjet e të rënëve provuan ndjesinë e të qenit në familjen e madhe të Aleancës së Atlantikut Verior ashtu siç presin ta shohin veten në familjen e Bashkimit Evropian, dhe jo të shohin Korçën të ndarë në mes, ku bashkia shpall ankandin për të blerë edhe ndjenjat kombëtare. “Kjo erë që po fryn, “përtej së majtës dhe së djathtës”, tha Zefi, më shumë sesa të jetë e frikshme është e trishtueshme sepse ndarjen e kombit në mes nuk do të guxojë ta marrë askush përsipër”. Ky reagim ka ardhur menjëherë pas organizimit të ceremonisë për nderimin e të rënëve gjatë luftës nacionalçlirimtare. Kryebahskiaku i Korçës ka përjashtuar pothuajse të gjithë drejtuesit e tjerë vendorë duke ia deleguar këtë kompetencë vetëm bashkisë apo spektrit të majtë duke mënjanuar kështu korçarët, të cilën nuk kanë bindje të majta, por nderojnë ata që u dhanë lirinë, të cilën e paguan me gjakun tyre.

“PËRPLASJA”

Prefektja e qarkut Korçë, prof. dr. Elfrida Zefi, bëri të qartë se çdo veprim i bashkisë Korçë binte në kundërshtim të plotë dhe të hapur me legjislacionin e Republikës së Shqipërisë dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave për organizimin e ceremonialeve në Republikën e Shqipërisë, ku përcaktohen qartazi, angazhimi i personaliteteve dhe i përfaqësuesve të komuniteteve të tjera, përfshi këtu edhe komunitetet fetare për sa u përket festave zyrtare dhe publike. Zbatimi i legjislacionit të përmendur më sipër jo vetëm që është i detyruar, por në të njëjtën kohë bëhet në përputhje të plotë me traditën, nevojat e komunitetit dhe pjesëmarrjen e personaliteteve. Ndryshe nga sa më sipër, Bashkia e Korçës ka tentuar të thyejë traditat e kësaj zone, respektin dhe kulturën që mbart ky rajon, si për të treguar se “përtej së majtës dhe së djathtës” është privatizimi i gjithçkaje, ashtu si në kohën e diktatorit Hoxha. E megjithatë, edhe pse ndodhi kështu, gjithë institucionet e tjera, përfshi këtu institucionin e prefektit dhe Këshillin e Qarkut Korçë dhe qytetarët që mbështesin institucionet e shtetit shqiptar treguan mirënjohje dhe respekt ndaj të rënëve.

Ngjarja e paprecedent në ditën e 5 Majit, u vu flaka disa mbeturinave

Indinjohen veteranët e Shkodrës: Baltë mi të rënët për liri

SHKODER- Dëshmorët e LANÇ-it në Shkodër janë përkujtuar në ditën e 5 Majit mes tymrave të mbeturinave që kanë filluar të digjen që në orët e para të mëngjesit të djeshëm pranë varrezave të tyre. Të parët që janë lajmëruar për tymin e mbeturinave të djegura kanë qenë përfaqësuesit e shoqatës së veteranëve të luftës, të cilët kanë reaguar ndaj institucioneve përgjegjëse për ruajtjen e Varrezave të Dëshmorëve të Shkodrës. Më pas pushtetarët vendorë janë përballur vetë me këtë tym që nuk duhej të ekzistonte as në ditët e tjera e jo më 5 Maj në ditën e dëshmorëve. Pas vendosjes së kurorave me lule nga përfaqësuesit e pushtetit vendor, kanë vijuar me ceremoninë përkujtimore përfaqësuesit e shoqatës së veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare në Shkodër, të cilët nuk e kanë fshehur për asnjë moment indinjatën e tyre të thellë ndaj veprimit të kryer në këtë datë të shënuar për ta. Bashkia e Shkodrës ka sqaruar se zjarri në varrezat e dëshmorëve në ditën e 5 Majit është vënë prej personave të papërgjegjshëm, të cilët kanë djegur mbeturinat që ishin hedhur në afërsi të këtij vendi ku sot ndodhen dhe “5 heronjtë e Vigut”. Shqetësimi i shoqatës së veteranëve është shtuar edhe më tepër pasi personat që kanë kryer një veprim të tillë kanë djegur mbeturina në një ditë përkujtimore të dëshmorëve, ndërkohë që prej kohësh në atë vend nuk digjeshin më mbeturina. Sipas Bashkisë së Shkodrës, “Një veprim i tillë jo vetëm që hedh baltë mbi dëshmorët në ditën në të cilën ato përkujtohen, por hedh poshtë dhe investimet që Bashkia e Shkodrës ka ndërmarrë, për kthimin në identitet të këtyre varrezave. Bashkia e Shkodrës ka kryer rikonstruksionin e rrugës, që lidh rrugën kryesore me varrezat e dëshmoreve, ka kryer zgjerimin e këtyre varrezave, ndërkohë që është kryer lyerja dhe rikonstruksioni i monumentit që përfaqëson simbolin dhe lavdinë e këtyre dëshmorëve, si dhe sistemimin e ambientit, që në përfundim e sipër”. Ndërkohë përfaqësuesit e partive të majta dhe të shoqatës së veteranëve në Shkodër kanë organizuar së bashku ceremoninë përkujtimore të 5 Majit, ditës së dëshmorëve. Në takimin e organizuar në sallën e Këshillit të Qarkut Shkodër mbajti fjalë e rastit kryetari i shoqatës së veteranëve për Shkodrën Burhan Bushati, i cili vlerësoi kontributin e djemve dhe vajzave shqiptare që dhanë jetën për çlirimin e vendit. V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›