Ndërsa zhvillohet drama greke, ku është Europa?
Nga Steven Erlanger
The New York Times
Udhëheqësit e Bashkimit Europian praktikisht kanë qenë të padukshëm ndërsa udhëheqësit kombëtarë po veprojnë veçanërisht në mbrojtje të interesave politike vendore. Kjo ndodh ndërkohë që barra e krijimit të një programi të shpejtë dhe të besueshëm ristrukturimi për Greqinë ka rënë në kurriz të Fondit Monetar Ndërkombëtar – pikërisht aty ku udhëheqësit krenarë të Bashkimit Europian nuk dëshironin ta shihnin. Edhe një herë, siç ndodhi në vitin 2008 gjatë krizës financiare apo në rastin e bllokimit të trafikut ajror në kontinentin e vjetër nga reja vullkanike, udhëheqësit europianë nuk ia dolën të lënë mënjanë interesat kombëtare dhe të hartojnë së bashku një politikë për ta zgjidhur problemin në kohë të përshtatshme. Në këtë proces, ato mund të kenë shkaktuar dëme të përhershme për besueshmërinë e Bashkimit Europian.
“Nuk ka asnjë dyshim që projekti për Europën ka pësuar dëmtime strukturore nga kjo”, thotë Jacob Kirkegaard, një studiues i çështjeve europiane dhe reformës strukturore në Institutin Peterson për Ekonomiksin Ndërkombëtar në Uashington. “është e qartë se FMN është i vetmi institucion që po i qëndron problemit dhe po përgatit programin”. Kritikat po shtohen mbi kompetencat e udhëheqësve të BE-së. Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara, megjithëse nuk dëshirojnë të ndërhyjnë në problemet e Europës, kanë shprehur gjithsesi shqetësimin e vet. Presidenti Obama i telefonoi Kancelares Angela Merkel të Gjermanisë të mërkurën për ta inkurajuar që të marrë një pozicion më të fortë dhe të qetësojë tregjet. Zonja Merkel ka qenë protagonistja kryesore në këtë krizë borxhesh, për shkak se ajo po përpiqet të qetësojë votuesit e vet në Gjermani, pasi gjermanët nuk parapëlqejnë të shpenzojnë paratë e veta për të zgjidhur problemin e Greqisë. Merkel ka shtyrë për muaj me radhë marrjen e një vendimi në lidhje me këtë çështje, me shpresë se do të kapërcejë fillimisht një palë zgjedhje rajonale me rëndësi vendimtare për partinë e saj. Në fund, kjo rezultoi e pamundur. Kjo sjellje e Merkelit u dha mundësi tregjeve të rrisin interesat e borxhit grek në nivele të papërballueshme. Pasoja qe që FMN dhe europianët u detyruan të katërfishojnë premtimin fillestar për ndihmë me qëllim që të qetësojnë tregjet dhe të parandalojnë një situatë të tillë në Portugali, vendi tjetër i dobët i BE-së.
“Vetëm fakti që zgjedhjet rajonale në Gjermani mund të luajnë një rol kaq të zhdrejtë në përpjekjet për të përmbajtur një krizë që vetëm pak muaj më parë qe një krizë e vockël, është tronditës”, komenton Kirkegaard. Fakti që deri më 10 maj, pra deri pas zgjedhjeve të 6 majit në Gjermani, nuk do të ketë një samit të udhëheqësve të BE-së, është kaq i çuditshëm politikisht.
Bashkimi monetar Europian thjesht “nuk qe gati për kohë të keqe”, – thotë Janis A. Emmanouilidis, një analist i lartë i politikave në Qendrën Europiane të Politikave në Bruksel, duke kujtuar se tani për tani, BE nuk ka mekanizma për të zgjidhur një krizë të tillë.
“Në mungesë të mekanizmave, është e nevojshme të kesh aftësi udhëheqëse mes politikanëve”, shton ai duke thënë se në muajt e fundit, edhe aftësia e nevojshme ka munguar. I njëjti problem lindi edhe në fillim të prillit, kur një re vullkanike nga Irlanda vuri në dukje mungesën e një marrëveshjeje për menaxhimin e hapësirës ajrore të BE-së, gjë që solli vonesa tronditëse në koordinimin e një politike. Për më keq, Emmanouilidis beson se “kriza aktuale ka shkaktuar një dëm edhe më të madh duke shkatërruar besimin mes vendeve anëtare”. Gjermania ndihet e tradhtuar nga vendet e Mesdheut, ndërsa këto të fundit ndihen të zhgënjyera nga mungesa e solidaritetit nga Gjermania. Zëvendësministri grek, Theodoros Pangalos, deklaroi javën e kaluar se udhëheqësit e BE-së “nuk janë në lartësinë e detyrës” për zgjidhjen e krizës.
“Besoj se nëse në BE do të qe (ish-presidenti) Delors dhe në Francë do të kishim Mitterrand apo në Gjermani Kohl, gjërat do të ishin krejt ndryshe”, tha ai.
Ndërsa fajtorët kryesorë kërkohen mes udhëheqësve të shteteve, ka gjithashtu kritika edhe për udhëheqësit e rinj të Bashkimit Europian. Herman Van Rompuy, Presidenti i Këshillit të Europës ka qenë pothuajse i padukshëm në përpjekjet për të koordinuar udhëheqësit kombëtarë. Një anëtar francez i Parlamentit të Europës, Philippe Juvin, u zbraz te një agjenci lajmesh: “Ku është Presidenti i Këshillit të Europës? çfarë po bën Presidenti i Komisionit? A ka një pilot europian për krizën greke? Apo mos vallë të gjithë po presin për kolapsin e Euros?”
Por Traktati i Lisbonës që krijoi pozicionin e Van Rompuy dhe që synonte ta bënte BE-në më të shkathët dhe koherente, në mënyrë delirante mënjanoi nga Brukseli fuqitë e nevojshme për koordinimin e politikave fiskale, të cilat mbrohen me krenari si kompetenca kombëtare nga vendet anëtare. Në të gjitha rastet, vendet si Gjermania thjesht duhet ta konsiderojnë fajtore veten për shkak se nuk kërkuan kontrollimin e statistikave të Greqisë, për të cilat dyshohej nga të gjithë se qenë të manipuluara për më shumë se dy dekada.
Por disa analistë besojnë se kriza e fundit do të sjellë në fund një integrim edhe më të madh të BE-së me mbikëqyrje më të imtësishme fiskale. Megjithatë, një gjë tjetër është edhe më e sigurt: Ngurrimi i Europës për të vepruar e ka përkeqësuar shumë më tepër situatën për Greqinë.
#