E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet ne ligjin Per mbrojtjen e konsumatorit nje hap perpara

Ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e konsumatorit”, të cilat u miratuan vetëm pak ditë më parë në Parlament, përbëjnë një hap përpara për përmirësimin e legjislacionit shqiptar në lidhje me mbrojtjen dhe garantimin e konsumatorëve.

Me miratimin e këtyre ndryshimeve, ligji i përgjigjet më mirë interesave të konsumatorit, duke garantuar mbrojtjen e tyre dhe është në përputhje të plotë me legjislacionin e BE.

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës bën me dije se, këto ndryshime janë një pasqyrim i zhvillimeve në legjislacionin europian në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve, i përgjigjen disa mangësive të konstatuara gjatë periudhës së zbatimit të ligjit nr. 9902 “Për mbrojtjen e konsumatorit” dhe janë pasqyruar elementët kryesorë të direktivave të reja evropiane të fushës, të cilat kanë hyrë në fuqi pas miratimit të ligjit.

Gjithashtu, ndryshimet e miratuara janë pasqyrime të disa sugjerimeve thelbësore të bëra nga DG SANCO pranë Komisionit Evropian në lidhje me disa saktësime në përkufizimin e termave “konsumator”, “praktikë tregtare”, si dhe përfshirjen e përkufizimeve të reja si “ftesë për blerje”, “mjet i qëndrueshëm”.

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vlerëson se, ndryshimet e miratuara lidhur me kontratat e kredisë konsumatore janë të një rëndësie të veçantë për mbrojtjen e interesave ekonomike të tyre.

Për këtë është parashikuar në nenin 14 të tij detyrimi i tregtarëve për dhënien e informacionit me kërkesë të strukturave shtetërore për mbrojtjen e konsumatorëve, e shoqëruar me penalizimin përkatës në rast të mospërmbushjes së saj nga ana e tregtarëve.

Një ndryshim thelbësor në projektligj është dhe dëmshpërblimi i konsumatorit me një akt të veçantë të marrë nga organi përgjegjës për shqyrtimin e kundravajtjeve administrative të këtij ligji, i cili është Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit, në një kohë që deri tani ky dëmshpërblim bëhej vetëm nëpërmjet gjykatës.
Në ndryshimet e miratuara, në nenin 15, parashikohet që ministri përgjegjes për tregtinë të nxjerrë udhëzimin për trajtimin e ankesave që paraqiten nga konsumatorët, si dhe ngarkon Këshillin e Ministrave për përcaktimin e kritereve që duhen përmbushur nga struktura për mbrojtjen e konsumatorit, që parashikohet në pikën 1 të nenit 56 të ligjit ekzistues.

Në këtë projektligj propozohet një rritje e nivelit të gjobave në krahasim me ato të parashikuara në ligjin Nr. 9902, që lidhen me konstatimin e shkeljeve të mësipërme nga tregtarët.

Në ligjin ekzistues niveli i gjobave varion nga 30 000 lekë në 100 000 lekë. Në ndryshimet e miratuar, në nenin 16, parashikohet vendosja e gjobave për shkelje konkrete të dispozitave të këtij ligji në vlerat 100 000, 200 000, 300 000 dhe 500 000 lekë Në këtë nen është parashikuar që të drejtën për vendosjen e gjobave ta ketë Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorëve, si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë. Rritja e gjobës është vendosur për të parandaluar shkeljet në dëm të konsumatorëve, duke iu përshatur më mirë orientimeve të BE, si dhe nga konstatimet e bëra nga Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve.

Gjithashtu, në këtë projektligj propozohet Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve, në vend të Zyrës së Shërbimit Turistik, si strukturë përgjegjëse për ndjekjen, kontrollin dhe zbatimin e dispozitave për paketat (kontratat) e udhëtimit.

Me këtë strukturë përgjegjëse rritet më tej përgjegjësia në zbatimin e detyrimeve që rrjedhin për këto lloj kontratash duke garantuar më shumë mbrojtjen e interesave të konsumatorit.

Me miratimin e këtij projektligji qeveria plotëson angazhimet e saj politike të parashikuara në programin e saj, për krijimin e një terreni të favorshëm për konsumatorët në përshtatje me funksionimin normal dhe ligjor të tregut të lirë, e harmonizuar kjo me kërkesat e tregut të BE.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›