E Diel, 1 Nëntor 2026

Në grevë urie prindërit: Të na gjejnë fëmijët

02/03/2009  Tragjedia e 9 janarit, kërkesat

SHKODER- Që nga dita e shtunë kanë hyrë në grevë urie dy nga prindërit që humbën fëmijët e tyre në tragjedinë e 9 janarit të vitit 2004. Ndoc Bjeshka dhe Ndue Zajeti, prindërit e viktimave Kreshnik Bjeshka dhe Marjana Zajeti, trupat e të cilëve nuk janë gjetur ende u futën në grevë urie, duke deklaruar se nuk do të dalin më nëse strukturat përkatëse shtetërore nuk marrin masat e duhura për rifillimin e hetimeve rreth kësaj tragjedia dhe për gjetjen e fëmijëve të tyre. Dy prindërit janë ngujuar në një ambient duke nisur kështu grevën. Njëkohësisht Bjeshka dhe Zajeti kanë vendosur dhe dy arkivole bosh për të treguar se janë të gatshëm për t’i shkuar deri në fund të jetës së tyre për zgjidhjen e kërkesave që ata kanë. Ata kërkojnë gjetjen e fëmijëve të tyre bazuar nga fakti se para pak muajsh kanë marrë informacionin se përveç gomones ku u gjendën 11 të mbijetuar dhe 20 të vdekur, ishte gjetur në det dhe një gomone tjetër me tetë trupa, për të cilën nuk u pat bërë asnjë deklarim. Dy prindërit e ngujuar në grevë urie janë të mendimit se trupat e gjetur në të gomone janë varrosur. “I kërkojmë shtetit që t’i gjejë dhe të bëjë analizat e ADN–së. Pas saktësimit të përcaktohet se kush janë ata që u gjetën në atë gomone në mënyrë që secili të marrë fëmijën e vet”. Ndërkohë kryetari i shoqatës “9 Janari”, Nikollë Mhilli, ka theksuar se një nga kërkesat e grevistëve është dhe ripërsëritja e gjyqit të Vlorës tek Krimet e Rënda në Tiranë për shkak se e vërteta ende nuk ka dalë në dritë sipas tij. Në tragjedinë e 9 janarit në gadishullin e Karaburunit u mbytën me gomone 28 persona, pjesa më e madhe prej qarkut të Shkodrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›