E Diel, 1 Nëntor 2026

Në kërkim bosët shqiptarë të kokainës

02/07/2009  Ngritja e dy “yjeve” Nano e Frashëri që vranë 2 shqiptarë dhe u morën drogën

Policia i lokalizoi në Torino, këshillohen qytetarët t’u rrinë larg, janë të rrezikshëm

TORINO- Karabinierët italianë janë vënë në ndjekje të dy mafiozëve shqiptarë, që ishin parë së fundmi të kalonin të qetë në qytet. Mediat e Përtej Adriatikut shkruajnë se Eris Frashëri, 22 vjeç dhe Sotiraq Nano, 24 vjeç, të dy nga Berati, e fituan një vend special në diellin e mafies qëkur kryen një vrasje spektakolare dhe morën me vete kokainën. Prej një viti ata janë shpallur në kërkim, ndërsa policia kishte rënë në gjurmët e tyre vetëm pak ditë më parë dhe vendosi të publikonte gjeneralitetet e fotot e tyre me qëllim që qytetarët të tregonin kujdes nëse ndodheshin në praninë e këtyre vrasësve të pamëshirshëm.

Vrasje e pushtet

Nano e Frashëri e fituan famën vitin e kaluar në Padova kur me një pistoletë “Magnum 357” qëlluan mbi dy bashkëpatriotin e tyre, Veldin Serdarin, 23 vjeç dhe plagosën rëndë Ervis Dervishin, 18 vjeç. Pasi kryen këtë ekzekutim të përkryer, vrasësit nuk harruan të merrnin kokainën që kishin viktimat në makinë. Vlera e drogës i kapte 2 milionë euro nëse shitej në treg. Fillimisht u mendua se u larguan në Zvicër, por vetëm para dy ditësh ata ishin parë të lëviznin në Torino. Karabinierët po marrin dëshmitë, kanë ngritur postblloqe dhe po kryejnë disa kontrolle në lokalet e zonës. Nga hetimet rezulton se Nano e Frashëri janë stabilizuar në Torino, ku pas shitjes së sasisë së madhe të kokainës, kanë krijuar aleanca me grupe të tjera mafioze shqiptare dhe marokene. Tashmë kanë fituar respekt nga grupet e tjera si dhe vendosën autoritetin e tyre, duke mundësuar edhe garantimin e mbrojtjes nga anëtarë të tjerë të grupimeve më të mëdha mafioze italiane. Ekspertët e policisë i përcaktojnë profilet e tyre si tepër të rrezikshëm, përveç faktit që të dy kanë kryer vrasje. Më shkurt, bëhet fjalë për dy gangsterë të pamëshirshëm, të vendosur të përdorin armët për të mbrojtur pasurinë e tyre, drogën dhe eurot, pasi janë përfshirë në atë që cilësohet si grupi i zjarrit, ku askush që nuk bën pjesë në mafia nuk guxon të afrohet. Këshillohen qytetarët t’i shmangen kontaktit me ta.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›