E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha trysni mbi procesin

02/07/2009  Mbledhja e djeshme e qeverisë “Berisha” nuk kaloi pa u komentuar nga kreu i Partisë Socialiste Edi Rama. Gjatë një komunikimi me mediet Rama e cilësoi një veprim të tillë të ndërmarrë nga kreu i ekzekutivit Sali Berisha, si një tentativë për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Kryeministri sot ka dhënë një shfaqje që është në vazhdimësinë e trysnisë mbi procesin zgjedhor dhe në vazhdimësinë e një përpjekjeje për t’i vendosur shqiptarët përpara faktit të kryer, duke u munduar që të grabisë ç’mund të grabitet në këtë periudhë të dytë të procesit që ka të bëjë me numërimet dhe me procesverbalet, sepse shqiptarët nuk e kanë mandatuar Sali Berishën për të udhëhequr vendin për katër vjetët e ardhshëm dhe unë garantoj se ne jemi të vendosur që të mbrojmë të gjitha votat dhe njëkohësisht t’i prijmë popullit shqiptar në përpjekjen për të garantuar se këtu nuk do të ketë një grusht shteti me përmbysjen e rezultatit duke futur duart në kutitë e votimit dhe duke ndryshuar përfundimet e numërimeve në një sërë kutish votimi”, - u shpreh Rama gjatë fjalës së tij. Ndërkohë po në këtë linjë, kreu socialist garantoi se “këtë do ta bëjmë këtë në rrugë ligjore, do ta bëjmë deri në fund, që populli shqiptar të shohë me sytë e tij se çfarë ka në kutitë e fshehta. I kemi të gjitha instrumentet që na jep ligji dhe jemi të gatshëm, të vendosur, të përgatitur që në këtë betejë ne të bëjmë gjithçka, është në detyrimin tonë për ata njerëz që në një shumicë dërrmuese na kanë dhënë një mbështetje spektakolare”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›