Në radhë për të parë kufomën e Gaddafit

Një rit antik barbar u konsumua më pas me trupin e pajetë të kolonelit me një të kaluar të lavdishme dhe me një fund të hidhur.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka në plan që të nisë një hetim rreth vdekjes së Gaddafi-t.
"Janë dy video. Një që e tregon të gjallë dhe një tjetër që e shfaq të vdekur. Ka katër ose pesë versione të ndryshme rreth zhvillimit të ngjarjes", thotë zëdhënësi i Komisarit të Lartë të OKB-së OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Por Këshilli Ushtarak të Libisë ka vendosur që të mos kryhet autopsi e trupit.
"Askush nuk do të marrë në shqyrtim trupin e Gaddafit", tha një zëdhënës i ushtarakëve të këshillit të Misurata.
Për momentin dihet me siguri se kufoma e Gaddafit ndodhet në një dyshek të ndotur, në një dhomë figoriferike të Tregut Afrikan, aty ku më parë shitej mish në periferi të Misurata-s.
Ndërkohë edhe personat më besimtarë në Libi duket se e kanë harruar ritin fetar, që një i vdekur duhet të varroset brenda 24 orësh.
"Për Gaddafi-n dhe djemtë e tij jemi gati të bëjmë një përjashtim. Njerëzit duhet t'i shohin se kanë vdekur. Na kanë trajtuar shumë keq për vite me radhë. Është e drejtë që Libia ta gëzojë këtë fitore", thonë besimtarët.
Ndërkohë jashtë vendit ku ndodhet kufoma ndodhen në radhë qindra persona; ka pleq, por edhe shumë të rinj, madje edhe fëmijë. "Dua ta shoh Muammar-in e vdekur", thotë një djalë 8-vjeçar, i cili qëndron në radhë, bashkë me vëllezërit e tij më të mëdhenj.
Në radhë ndodheshin edhe dhjetëra kryengritës, të cilët kanë lënë fushat e betejës në Bani Walid dhe Sirte.
Shumë prej tyre në luftime kanë humbur miq e të afërm dhe urrejtja e tyre për diktatorin është e madhe.
Për të parë Gaddafin e vdekur kanë shkuar edhe persona të gjymtuar, pa këmbë e duar.
Ish-diktatori i Libisë, koloneli Muammar Gaddafi, u vra në një shkëmbim zjarri pasi u zu rob në qytetin e fundit që kontrollonte, Sirte.
Kryeministri në detyrë i vendit, Mahmoud Jibril, deklaroi se koloneli u godit në kokë ndërsa trupat e tij dhe ato qeveritare qëllonin njëra tjetrën, pak pasi ishte dorëzuar.
Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, shefja për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara, Navi Pilaj, dhe grupi për të drejtat e njeriut Amnesty International, kanë kërkuar një hetim rreth vdekjes së Gaddafit.
Edhe Departamenti amerikan i shtetit ka kërkuar nga Këshilli Kombëtar Tranzitor, të ofrojë llogari transparente rreth shkakut dhe rrethanave të vdekjes së Gaddafit.
Në anën tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, njoftoi se aleanca do t’i japë fund misionit të saj në Libi më 31 tetor.
Rasmussen tha pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të NATO-s në Bruksel se bëhet fjalë për një vendim paraprak, i arritur pas një marrëveshje mes vendeve anëtare.
Ai shtoi se NATO do të vazhdojë të vëzhgojë situatën në Libi dhe do të ndërhyjë nëse është nevoja, në zbatim të rezolutës së Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e civilëve.