Ne rrezik Laci-Vllaznia
Një nga 7 ndeshjet e javës së 14-të të Superligës shqiptare është në hall se ku do të luhet. Laçi dhe Vllaznia nuk mund të dalin në fushën kurbinase, pasi kjo është pezulluar që nga dhuna e ushtruar nga gjyqtarit Lorenc Jemini, në takimin ndaj Kastriotit. Në Shkodër natyrisht që nuk mund të luhet për faktin se është fushë e Vllaznisë, por edhe sikur të binin dakord palët, dëbora e ka mbuluar qytetin buzë liqenit dhe nuk bëhet fjalë që ta lëshojë shpejt. Po ku do të gjendet një strehë? Në Tiranë luan Dinamo me Apoloninë, në Durrës luan Teuta me Tiranën dhe në Kamzë shkon Flamurtari. Vështirë se fusha e Besëlidhjes në Lezhë të plotësojë ato kushte që duhen, por ka shumë mundësi që kjo përballje të vendoset për t’u luajtur në Krujë. Jo vetëm sepse Kastrioti udhëton për në Pogradec, por edhe sepse qyteti i Skënderbeut nuk është aq larg Shkodrës, ndërsa është shumë pranë Laçit. Pritet vetëm që të bihet dakord dhe të dalë njoftimi i Federatës Shqiptare të Futbollit.