E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhani Ciko,Pango ligji, unë mjeshtri

Kulturë/ Drejtori i Teatrit të Operës, Ciko, rrëfen historinë më të pazakontë që ka ndodhur në jetën e tij në këto gjashtë muaj

Gjashtë muajt e Zhani Cikos nën presionin e dorëheqjes. Drejtori i Teatrit të Operës tregon jo vetëm prishjen e ekuilibrit në marrëdhëniet institucionale me ministrin e Kulturës, Ylli Pangon, por edhe sindromën psikologjike që i shkaktoi kjo periudhë për shkak të personalizimit të çështjes, duke rrëfyer fyerjen nga përbaltja dhe mohimi i punës së mjeshtrit. Çfarë do të ndodhë në opera pas vendosjes së “paqes” me Ministrinë e Kulturës, cili do të jetë modeli që do ta ngrejë institucionin e Operës në nivel evropian, dhe në dimër nuk do të jetë nevoja të mbulohesh me batanije për të parë një shfaqje? Zhani Ciko rrëfen historinë më të pazakontë që ka ndodhur në jetën e tij në këto gjashtë muaj

Sindroma e diktaturës kur ndodhte përbaltja dhe mohimi janë arsyet që duken se e kanë shtyrë Zhani Cikon të mendojë për gjashtë muajt që kaluan në drejtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Me aplikimin e ligjit për artin skenik, dhe reformimin e institucioneve kulturore mbi bazën e këtij ligji - krijoi për gjashtë muaj atmosferën më të zymtë në këtë dhjetëvjeçar. Nga lart, pra nga Ministria e Kulturës, u kërkua zbatimi i ligjit, ndërsa komuniteti artistik kundërshtonte, ndryshe nga viti ’99-të, mbi argumente artistike, duke mbërritur në incidentin më të rëndë-nxjerrjen jashtë Operës të disa specialistëve të ministrisë, duke mos pranuar prej tyre draftin.

Nga ana tjetër, mediatizimi i këtij debati të çonte në një burim akuzash - duke vënë në shënjestër vetëm drejtuesit e institucioneve. Ndërsa u kryqëzua drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Teatri Kombëtar dhe Teatri i Operës i rezistuan presioneve, duke detyruar ministrinë të gjente një ekuilibër ligjor në draftin e propozuar, por njëkohësisht të gjykuar nga komuniteti artistik se nuk mund të hartohej nga një pianist i dështuar, specialist fillestar apo balerinë. Në një intervistë për “standard”, Zhani Ciko nuk i lejon vetes të vendosë asnjë koment mbi këto, por aludimi është i qartë, se e gjithë kjo situatë gati qe kthyer në një çështje personale dhe fyerje për mjeshtrin e muzikës. Përtej këtij vështrimi, Ciko tregon se çfarë ishte ai disekuilibër shtetëror, brenda të njëjtit vullnet politik, duke u shprishur marrëdhënia mes institucioneve.

Çfarë do të ndodhë në opera pas vendosjes së “paqes” me Ministrinë e Kulturës, cili do të jetë modeli që do ta ngrejë institucionin e Operës në nivel evropian, dhe në dimër nuk do të jetë nevoja të mbulohesh me batanije për të parë një shfaqje? Zhani Ciko rrëfen historinë më të pazakontë që ka ndodhur në jetën e tij në këto gjashtë muaj.

Teatri i Operës, ashtu si institucionet e tjera të kulturës qendrore, u zhytën në krizë dhe debati në media ka qenë i nxehtë pa ditur se për kë ishte, për drejtuesit e Operës apo drejtuesve të ministrisë. A mund të na thoni në këndvështrimin tuaj çfarë ishte kjo periudhë për Operën dhe për ju si drejtues institucioni?

Debati e gjeti Teatrin e Operës, për hir të të gjithë treguesve, në vitin më të mbarë të tij, kur mbas një periudhe disavjeçare ne kishim mbërritur të dyfishonim dhe të trefishonim numrin e premierave, të titujve, kishim mundur të ndërtonim një punë bashkëvepruese jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë, ndërmarrë masa për integrimin e strukturave tona me teatro të rëndësishme në botë, gjithashtu arritëm të ndërtonim një strategji institucionale të multikulturalizmit. duke luftuar prirjet e njëanshme në këtë drejtim. Dhe duke shtuar, pa diskutim, si tregues kryesor, numrin e spektatorëve, të shfaqjeve, interesin e medias, edhe të ardhurat e teatrit. Kishim mbërritur të kishim mbështetësit tanë, të cilët suportonin një pjesë të aktiviteteve, kishim mbërritur të krijonim besimin edhe në të gjithë organizmat tona shtetërore. Madje pas një përpjekjeje shumëvjeçare patëm një strukturë profesionalisht të afërt me ato që kanë teatrot e tjera, dhe këto sipas mundësive tona. U pa një arritje e madhe dhe vlerësim ekonomik të paimagjinueshëm që realizoi qeveria “Berisha”, që ishte dyfishimi i pagave të artistëve, sjellja e tyre në nivelin rajonal, më të mirë. Nga ana tjetër ishte miratuar për herë të parë një ligj për artin skenik, i cili kishte plotësuar boshllëqet e ligjit gjysmak, të paimplementuar, atij të parit.

Mirëpo, gjërat shpeshherë krijojnë probleme duke i lënë mënjanë defektet njerëzore siç është ambicia, dëshira për të ndryshuar deri në favor të individit, por duke menduar si një proces në zhvillim, pra duke parë me sy pozitiv reformën, që herë pas here duhet bërë. Disa gjëra nga këto duheshin normalizuar, futur në normat e punës që vinin pas implementimit të ligjit, tek përmirësimet të statuteve, rregullores të gjithë procedurës zyrtare të tyre, të cilat nuk kishin mbërritur akoma deri në këtë moment, të implementohej për shkak të risisë që sillte ky ligj. Por, nga ana tjetër, shumë opinione që nganjëherë përhapeshin e bëheshin, siç është bota artistike, që është e mbarsur me këto, pati një prirje për të devijuar këtë procedurë normale drejt këtyre lloj marrëdhëniesh. Ku, sigurisht, pati elementë që përfituan dhe u përpoqën ta spostojnë këtë rrymë, e cila në vetveten e saj nisej pozitivisht, sepse nuk kishte kuptim që brenda të njëjtave strukturave, të një shteti, të një grupimi artistik që drejtonte vendit, të sistemoheshin gjërat në një mënyrë krejt tjetër. Ishte pak absurde situata që u krijua. E quaj kështu, si rezultat i asaj që shumë objektiva të drejta, dhe shumë ide që u hodhën gjatë këtij debati mbetën mbrapa dhe nuk u realizuan për shkak të një farë kundërvënie. Pasi nuk qenë të zotët të krijojnë një frymë mbështetëse për institucionet ku të ndodhnin ndryshimet e tyre. Pra, strategjia ose duart që e morën për ta drejtuar nuk ishin të sakta, dhe kjo bëri që të haste qysh në fillim një fluks kundërshtues të komunitetit artistik.

Ju po flisni në raport me Ministrinë e Kulturës. Kjo do të thotë se dështoi strategjia e Ministrisë së Kulturës në implementim e ligjit, në këtë rast reformimi, apo mund ta komentojmë ashtu siç shpesh është shkruar në media, si një problem personal të disa njerëzve në varësi të ministrit, me ju si drejtues?

Me atë që thashë më lart, kuptohet se çfarë ishte ajo që e pengoi marrëveshjen, mirëkuptimin institucional. Nuk do ta konsideroja këtë si periudhë që nuk nxori asgjë pozitive, por si një periudhë ku energjitë jopozitive, për fat të keq, e ngjyrosën këtë lloj marrëdhënieje. Pikërisht për këtë u përmirësua situata, dhe ndodhi pse dolëm në origjinën e kësaj marrëveshje, në origjinën e këtyre principeve që drejtuesit më të lartë të ministrisë, me siguri, i kanë pasur mbase qysh në fillim. Sepse ndryshe nuk do të kuptohet edhe evolucioni që ndodhi në gjithë këtë marrëdhënie, që kaloi nga keqkuptimet, dëshirat për t’i devijuar disa arritje, dhe për të nxjerrë artificialisht një situatë që është e njohur tani publikisht. Kjo u bë nga bodrumet, dhe jo nga zyrat e larta. Dhe pastaj mediatizimi, me sa më rezulton, edhe ky ishte fryt po i këtyre lëvizjeve. Ndërsa, sigurisht në një situatë të tillë, komunikimi me instancat është mirë të jetë atëherë kur problemet zbardhen në dritën e së vërtetës, kur vetë opinioni, realizimi i punëve shkojnë drejt konvergimit. Nga eksperienca ime, e kam këtë, pasi jeta i ka të tilla situata, ku duhet kuptuar spiralja, duhet kuptuar që argumenti më i mirë nuk është fjala për është puna, ajo çfarë ndodh në institucion, në të vërtetë, në realitet. Pra dhe ajo që ndodhi në këto gjashtë muaj, pasi një periudhë njëvjeçare mbërriti të ngushtohet vetëm në një gjashtëmujor të parë të jetës artistike, që u varfërua, dhe nuk ruajti parametrat, e cila krijoi mosbesimin, dhe u përgojua çdo lloj arritje, dhe u paraqitën gjërat vetëm me ngjyrën e zezë. Ekstremet asnjëherë s’janë të mirat, siç nuk është i mirë lustrimi, ashtu edhe nxirja.

Vetë ky realitet, reagimi i komunitetit artistik, por edhe i medias, edhe prononcimet e shumta që u bënë, pra ky karakter i vullnetit artistik e drejtoi debatin në ato kanale që më në fund e sqaroi situatën dhe bëri që të përqendrohet në dy-tri pika, të marrëdhënieve institucionale që nuk cenojnë më lirinë e institucioneve, dhe personalitetin e figurave që drejtojnë, por që zbatojnë në mënyrë vertikale disa parime që kanë me mënyrën se si funksionon ky shtet, me respektin me instancat me gjithë komunitetin dh drejtuesit të vendit. Kjo zgjidhje ka ardhur si rezultat i kësaj dhe jo i ndeshjeve, por i mirëkuptimit. Dhe këtu merita u takon të gjithëve.

Ndërsa ish-drejtori i Galerisë së Arteve u kryqëzua, ju jeni një nga drejtuesit, ashtu si ai i Teatrit Kombëtar, që në të gjithë këtë debat shënjestra ishte për largimin nga detyra. Zoti Ministër asnjëherë nuk është shprehur drejtpërdrejt për këtë situatë, gjithmonë është thënë që dikush i flet prapa veshit. Ndërkohë që ju shquheni si njeri tepër diplomatik në marrëdhënie të tilla, keni qenë rezistent karshi këtyre presioneve. A mendoni se gjithë kjo ishte situatë politikë apo personale për t’ju larguar juve nga drejtimi i Operës, pavarësisht se gëzoni emrin e mjeshtrit?

Më duhet të sqaroj se në marrëdhëniet e mia gjatë gjithë kësaj kohe, personat që kanë bërë pjesë në grupet e punës, në debatet, dhe në kontaktet, që nga zoti Ministër e të tjerë, asnjëherë nuk është prononcuar dëshira që unë të lë detyrën. Një dëshirë e tillë, sigurisht që do të ishte e respektuar prej meje. Mua ajo që më prekte dhe që më preku, ishte se, duke qenë një njeri, sidomos tani në kapitujt e mbylljes së një karriere administrative, nuk mundet të vijë në këtë mënyrë duket, mbasi ekskludoj problemin politik. Jo pse dua t’i njoh vetes time merita, po, për të thënë një të vërtetë të madhe. Janë disa njerëz, të cilët i kanë kushtuar jetën e tyre profesionit në të gjitha fushat, dhe nuk mundet që një pikëpamje, e një referenti në një institucion të mundet të ndryshojë opinionin. Ky është një farë donkishotizmi, me mullinjtë e erës. Mbasi persona që kanë merita në Shqipëri, që kanë kaluar tranzicionin në drejtimin e artit, institucioneve shkencore etj., bëjnë pjesë në atë që respektohet. Dhe po harroi shteti ta respektojë, është populli, janë vetë komunitetet e ndryshme ku bëjnë pjesë, që i respektojnë në atë masë sa kompensojnë sulmin e padrejtë, dhe të vockël, që mund t’i bëjë këtyre nga çdo lloj instance. Në rast se njerëz të tillë cenohen, cenohet autoriteti i shtetit që sulmojnë ata. Janë si banditët e rrugës, që një qytetar të ndershëm e agregojnë në mes të ditës. Nuk mundet, pra, në këtë drejtim. Në përjashtim të përfshirjes në skandale të ndryshme, të cilat ekskludojnë figurën që kanë krijuar në fushë të shkencës, a të kulturës kushdo qofshin këta. Dua që të mirëkuptohemi këtu, se nuk flitet për mua personalisht, por po shpreh pikëpamjen se si vlerësohen këta njerëz në të gjithë botën. Shqipëria që ka hyrë në rrugën e demokracisë, pa diskutim, siç është respektuar në të kaluarën figura e Çabejt, a një shkrimtari të madh, apo kompozitori të madh që ka dhënë veton, emrin e tyre, pavarësisht nga absurditet e kohës, nuk mundet që periudha e demokracisë këta të mos i respektojmë.

Përkundrazi, ne e ndjejmë, unë me modestinë e punës sime, e ndjej veten të mbivlerësuar në opinion, qoftë nga njerëzit, shteti shqiptar apo dhe politika shqiptare. Kështu që unë e injoroj fare këtë sulmin në kuptimin politik. Thashë që ia vë, më shumë, këtë situatë meskinitetit a ndonjë gabimi në rrënjën e këtyre opinioneve që mund të krijohen për njerëzit. Kështu që koha është ilaçi më i mirë në këto raste. Në rast se do largohesha nga opera, nuk do isha unë që do të dëmtohesha, por mendoj se do ishte opera që do të dëmtohej me largimin tim. Kjo sa i takon konceptit të drejtimit të Operës, largimin e stafit, largimi i një klime që tregoi se si prodhohet në këtë opera dhe çfarë mund të prodhohet.

Ashtu siç e thatë edhe ju, situata e Operës në këto gjashtë muaj ka qenë shumë e zymtë, e vështirë sidomos pas debatit mbi draftin që do rregullonte punët ligjore.

Kësaj situate iu shtua edhe një artikull, botuar në gazetën “standard”, nga dy dirigjentë austriakë që provokuan edhe më tej gjendjen në Opera. Në ministri askush nuk mori përgjegjësinë, ndërkohë që artistët këtu reaguan. Ju asnjëherë nuk u shprehet për këtë. Çfarë mund të na thoni në lidhje me realitetin midis shkrimit dhe Operës?

Bindja ime është kjo: që ne i respektojmë mjaft të huajt. I ftojmë sepse kemi çfarë të mësojmë prej tyre. Zgjedhja e autorëve të huaj kalon e gjithë në kompetencat e mia. Ndaj dhe ata, të cilët shkruan artikullin, edhe të tjerë, janë të gjithë miq që ne, me paratë e taksapaguesve shqiptarë, ku bëjnë pjesë dhe artistët, i kemi ftuar për bashkëpunim. Kështu që asnjëherë në vërejtjet e tyre nuk mund të thuash që nuk ka gjëra të vërteta. Unë i kuptoj që teatri jonë duhet të forcojë mirë infrastrukturën e tij, të hyjë në parametra evropianë që nga niveli i paraqitjes, të normave, të disiplinës etj. Kuptoj diçka tjetër, si shqiptar, që shumë gjëra nuk shkojnë këtu, dhe unë përpiqem t’jua tregoj këto çdo miku që vjen të drejtojë një vepër. Ne kemi disa tregues që duhet t’i përmirësojmë. Së pari është edukata personale e njerëzve, e cila vjen në shoqërinë tonë nga një e kaluar që ka prishur shumë norma të edukatës, brenda familjes dhe jashtë, dhe që po riparohen në kushtet e stresit për të mbërritur te tregues të ekonomisë së tregut. Kjo duhet kuptuar. Që ne vijmë në punë dhe punojnë artistët me orare të zgjatur, me përkushtim etj., por edhe me ndonjë vonesë që vjen ngaqë rruga e bllokuar ndoshta nga shiu, apo trafiku i zakonshëm, apo se fëmija do çuar në shkollë etj., pra, disa vështirësi apo inkomoditete që mund të krijojnë pengesa për të realizuar parametrat e fillimit të 200 vetëve, në një sekondë, të punës etj. Janë probleme të tilla, të asaj që quhet disiplinë. Gjithashtu, mund të them se është e pamundur, që sado i pastër të jetë drejtori në veten e tij dhe artistët për pjesën e tyre, është vështirë që çdo ditë të shikosh punën që bëhet në skutat e ndryshme të një teatri që ka shumë sende. Dhe mund të gjesh gjëra të kësaj natyre, të cilat nuk janë të njëjta me teatrot që rinovohen çdo 10 vjet, ku ndërrohen kabllot e korrentit, ku nuk ikën rryma asnjëherë, ku problemi i ngrohjes dhe ftohjes është problem rudimentar. Pra, ka shumë probleme dhe të gërmosh këto gjëra nuk është artistike. Nuk dua të komentoj arsyet e ndeshjes, mbasi kur vjen puna në karakterin e njerëzve, këta janë të mirë ose jo të mirë, pra në të gjithë botën njësoj. Ambiciet janë njësoj si në Shqipëri dhe jashtë. Ka edhe njerëz, të cilët vijnë në Shqipëri për të ndihmuar, por thonë mbase gjejnë ndonjë qoshe këtu në këtë vend, sidomos kur je në pension.

Pra, mund të jetë ky një vend ku ti mund të prodhosh kërkesa dhe të tregosh se di më shumë se të tjerët.

Ne jemi këtu, për një pasqyrë ndoshta me më shumë përgjegjshmëri të atyre gjashtë muajve, për të reflektuar mbi një kohë të humbur, energji të konsumuara për artistët, për një realitet problematik se si shikohet nga publiku dhe si punohet në Opera, një periudhë që edhe ju si drejtues ju ka kushtuar lodhje, fyerje, e njëkohësisht edhe rebelizëm. Para se të ndodhte kjo, do donim të dinim nëse struktura që u ngrit në opera që është prezantuar njëherë në media, ka qenë e juaja personale apo diktim nga politika, pasi me ardhjen e Pangos gjithçka u përmbys. Tani çfarë pritet të ndodhë në Opera në lidhje me zbatimin e një ligji të debatuar, komentuar dhe së fundi të rënë në ujdi?

Po përgjigjem në fillim për problemin e strukturës. Teatri ndër vite, ku ka pasur rezultate pa diskutim, ka ndjekur jetën e saj, nuk kishte arritur akoma një strukturë që vinte në përputhje me gjithë strukturat, me karakterin ligjor të tyre, mbi të cilin punon administrata publike në Shqipëri. Dhe për herë të parë, krahas rregullimit të problemit të pagesës, i cili dhe ky nuk u bë pa studim, dhe rregullim të strukturës, duhej rregulluar struktura e Operës, duhej çuar në nivelin e duhur që të diferencohej, pasi strukturat e mëparshme të trashëguara i çonin të gjitha institucionet në një nivel, si në një teatër rrethesh, si një shtëpi kulture diku i njëjtë dhe Teatri i Operës, ku kishin diferencime te vogla. Kurse për herë të parë këto institucione kaluan në vijë vertikale brenda sistemin të arsimit dhe kulturës në Shqipëri. Kjo ishte gjë e mirë, dhe kjo nuk u shpik nga ne. Kjo ishte pjesë e atyre që ishin pjesë e departamentit të administrimit publik dhe të këto instanca bëhen brenda normave, të cilat nuk ishin zbatuar dhe interpretuar në favor të kësaj. Sigurisht ka vend për përmirësime të mëtejshme. Por ato që janë hedhur bazë për këtu, kalimi i një sistemi vertikal në drejtori të ndryshme, mbi bazë vartësish të ndryshme të specializuar. Kjo u bë mbi përvojën dhe njohjen e literaturës së huaj. Gjithçka në këtë drejtim është përgojuar, se nuk është bërë mbi baza profesionale për arsye se kompetenca e strukturave është kompetenca e ministrit, i cili edhe gjatë kësaj kohe nuk ka imponuar ndryshim strukture, pasi kjo procedurë nuk mund të bëhet pa firmën e kryeministrit. Pra, gjatë kësaj kohe debatet kanë qenë po nuk është cenuar thelbi, kjo është aspekti më pozitiv. U dëgjuan shumë kambanë, shumë zëra por asnjëri nuk mundi të përmbysë një situatë, dhe sigurisht shteti shqiptar nuk mund të pranonte përmbysjen mbi bazën e muhabeteve.

Por, në media zhurma ishte shumë e madhe, përballë asaj që ndodhi me të vërtetë. Ajo që ndodhi në teatër, po ta marrësh në vetvete, është në parametrat që ka punuar teatri në vitet ’90-të, d.m.th u bë një premierë në gjashtë muaj, dhe u vunë katër pesë tituj shfaqje, shto dhe pjesët koncertale. Kaq ka qenë prodhimi vjetor i Operës deri në momentin që kam ardhur në Opera. Kurse ne e trefishuam numrin e premierave, pra ra në sy sepse u kthye teatri atje ku ishte, prandaj u duk shumë e zbrazët dhe kronikat merreshin me fjalët që fliteshin. Nuk doli skena në plan të parë, por doli bodrumi i Operës.

Pra, quhet situatë e zgjidhur apo Pango ra në ujdi me ju, si ka qenë marrëdhënia juaj me ministrin?

Shiko ka dy gjëra figura e një drejtuesi, në marrëdhënie të caktuara me një njeri që ka një emër publik, që njihet, që ka backgraund në drejtimin e institucioneve, që mua më është bërë një periudhë e gjatë e jetës sime. Dhe në këtë karrierë sigurisht jam njohur me të gjitha marrëdhëniet, duke kujtuar se marrëdhëniet e mia personale kanë qenë jashtëzakonisht të mira me ministrin aktual, qoftë në RTSh, apo dhe në përpara ku fusha e arsimit na ka bashkuar, por dhe në shumë pikëpamje në karakterin e shndërrimeve politike, shpesh kontakte shumë të shkurtra, por midis njerëzve të njohur. Pra, mendoj se, fillimi dhe mënyra se si u impostua kjo nuk u nis mbi këtë lloj baze, por mbi një platformë të ngritur aty brenda për brenda, të cilët nuk patën mirësinë të flisnin hapur se çfarë donin të bënin. U gatua një platformë jashtë këtyre marrëdhënieve të cilat do të ishin shumë të turpshme, dhe mua m’u duk se kthimi tek këto vlera, të njerëzve që njohin njëri-tjetrin dhe dinë të balancojnë marrëdhëniet e respektit për pozitën, për postin, por nga ana tjetër edhe për vartësit që nuk janë gjithashtu as lakej, dhe as njerëz pa personalitet. Përpiqem që edhe çdo njeri që punon me mua në teatër ta konsideroj për atë çfarë ai ofron, pra dhe unë jam i bindur, që ata që e keqkuptuan këtë gjë, ishin ata që edhe u përpoqën. Dhe kthimi tani nuk është i të humburit apo i të fituarit, përkundrazi unë them se është kthimi mbi frymën e mirëkuptimit dhe të analizës për të mos humbur atë që është e mundshme të realizohet.

Njerëzit që kanë qëndruar pranë Pangos dhe i kanë dhënë mend për çështjet e kulturës janë etiketuar në këtë klimë se ka për këshilltar një pianist të dështuar, mosbesim ndaj një balerine në MTKRS, si dhe një specialist fillestar... një skepticizëm për aplikimin e reformave nga këta njerëz. Po ju keni besuar në këta persona që morën në dorë draftin e reformave dhe që shkaktoi gjithë debatin? Mund të na thoni komentin tuaj për to?

Nuk dua të bëj asnjë koment mbi to. Unë njoh gjithë stafin drejtues të Ministrisë bashkë me këta që thoni, sido që të etiketohen. Unë them se secili ka dëshirat e tij dhe mënyrën e tij me të cilën kërkon të mbërrijë, por asnjëherë kolerizmi për mua nuk është i këshillueshëm. Debati, gjuha, mirëkuptimi duhet të bëhen mbi bazën e respektit dhe jo shkelmimit të personalitetit të tjetrit. Pasi është shumë e vështirë që t’ju kundërvihesh njerëzve, të cilët kanë integritet, edhe nëse e merr apo jo ti parasysh, pavarësisht nga ndjenjat personale që kemi për njëri-tjetrin. Lufta për të shkelmuar dhe për t’i bërë keq tjetrit sigurisht që krijon fitore të përkohshme. Për të mos u hequr si i shenjtë, por duke treguar me sinqeritet diçka që dëshiroj të them është kjo; se çdo njeri ka ambiciet, rivalitetet e tij në jetën artistike, të cilat shpeshherë të bëjnë të kesh marrëdhënien e mirë, të bashkëpunosh, ose të shikosh rrugë të ndryshme për të zhvilluar artin tënd. Për mua është kënaqësi kur një person me të cilin nuk kam pasur marrëdhënie, ose si të thuash mund të ketë qenë një farë rivali i imi, vjen të kërkojë bashkëpunim. Në këtë moment mezi pres që këtij njeriu t’i shërbej, t’i krijoj dhe që të arrijë komoditet, që të realizojë një dëshirë që ai ka në fushën në të cilën edhe unë jam. Jam i bindur që po u nise për të penguar dikë, dhe ai ta realizojë synimin e tij, ty nuk të mbetet veçse turpi. Kështu që kjo është baza e pikëpamjes sime.

Por, është ky staf që e ka këshilluar Pangon për deklaratat e tij se Opera dhe Teatri nuk do të funksionojnë më me projekte, por do bazohet në repertor, se opera nuk ka arkiv, nuk xhirohet asnjë shfaqje, artistët të huaj ikin, e vijnë... ǒmendoni për këtë reagim, i vetmi gjatë gjithë kësaj kohe i ministrit?

Unë mendoj se këto janë argumentet e thatësirës, e varfërisë. Ka dy gjëra në mënyrën se si menaxhohen këto institucione sot në botë: njëra rrugë është ajo e vendeve, të cilat kanë një traditë në këtë fushë, pak si të mbyllur që zhvillohet brenda një komuniteti të caktuar ku pjesa më e madhe e tyre është një publik i vjetër që ka një nostalgjinë e tij, që vjen vazhdimisht e ndjek të njëjtat vepra, këngëtarë, dëgjon kush këndon më mirë sot, kush këndon më mirë nesër. Rruga e dytë është eksperienca e atyre vendeve ku ka një fluks shumë të madh turistik si p.sh., blejnë biletën pikërisht për të parë në Vjenë valsin e Shtrausit, apo një Traviatë, pra një repertor të kufizuar pasi kanë interesat e tyre turistike, njohëse, argëtuese. Kjo është tjetër strategji. Ndërsa në vendin tonë, ku publiku është në formim, kur jeta artistike është në mbrujtje, ku çdo fluks ekonomik për mirë që reflektohet në skenat tona, reflektohet në këto marrëdhënie, dhe në këtë klimë ta kufizosh jetën vetëm tek ca tituj veprash të cilat sa vijnë e krijojnë mykjen e tyre, vjetrimin e tyre nga konsumi, kjo është tërësisht e gabuar. Në rast se ne mbërritëm këtu, është se ne e joshëm me tituj të ri publikun, me një frymë multikulturale ku krahas operës franceze, italiane, këndohet dhe gjermania, që nuk përbëjnë më vështirësi realizimi i tyre. Ku opera nuk është vetëm klasike, por edhe muzikal, një gjini më afër kohës, ku dalin dhe lloje të tjera të artit muzikor, që skena e një vendi duhet t’i përmbajë patjetër.

Kjo është strategji shumë e pastër. Përse ne duhet ta kufizojmë operën, ku të kemi dhjetë tituj që i vërtisim vazhdimisht me të njëjtat kostume, skena, me të njëjtat rivënie? Kjo përbën problem, sepse mund të kthehemi në ato vite ku artistët përpara shfaqjes do hapnin perden dhe të shihnin 30 veta në sallë, duke u mëdyshur për ta bërë apo jo veprën. Pra, kjo e varfëron Operën, repertori aty është dhe asgjë nuk humbet, pasi ky repertor i gjerë që kanë këto artistë është në zërin e tyre, në tinguj ose bibliotekën e Operës, është në filmimin që e kemi pasur gjatë kësaj kohe strategji, si produksion televiziv. Mbasi Opera nuk është vetëm i burrave të kulturuar që janë në Tiranë, dhe trupave diplomatikë që janë këtu, por janë edhe paratë e taksapaguesit tonë në rrethet e tjera, prandaj marrëdhënia me televizionin është shndërruar në një marrëdhënie jetike për t’ju përgjigjur nevojave të publikut, kaq sa ç’janë ato, sot më pak, nesër do jenë më shumë. Është shumë e drejtë që opera të dalë jashtë Tiranës. Është një gjë që vetëm komoditeti ekonomik mund ta realizojë. Pra e gjithë kjo frymë është baza, cenimi i saj është hedhja e Operës në tokë.

A mund të na thoni çfarë do të ndodhë me aplikimin e kësaj strukture të re, sidomos pyesim edhe për strukturën e bordit?

Ajo çfarë sjell normalizimin e punës në institucion është miratimi i statutit, propozuar prej nesh dhe miratuar nga ministri, si kompetencë e tij, mbi bazën e ligjit për artin skenik. Më në fund, ne kemi zbatimin e ligjit, dhe këtu caktohen kompetencat për drejtimin e institucioneve. Sigurisht që çdo njeri mund të dojë hapësira të tjera, por të paktën këtu e kemi të caktuar, duke na dhënë komoditetin ligjor. Ndër këto pika më e diskutuar ka qenë struktura e bordeve. Bordet e tjera kanë dështuar pavarësisht defekteve njerëzore, nuk kanë qenë të strukturuar. Kjo është risia që vjen për bordet. Tani kemi një bord që ngrihet sipas konceptit tonë dhe të komunitetit artistik, që para se ta dërgoj e kam testuar e mirëkuptuar. Ky bord përbëhet nga përfaqësues të institucioneve kryesore artistike, të cilët janë në lidhje me teatrin. Në rast se është drejtori i Galerisë së Arteve, është syri i një piktori, po ashtu dhe me fushat e tjera, duke ngritur kështu bazën. Pra, është një personalitet që nuk është i lidhur thjesht me produksionin e Operës, por me frymën që duhet të ketë institucioni. Secili anëtar ka një funksion të tij, kjo është e reja që ka ligji, pra nuk e kufizon por edhe nuk e determinon. Pra, merita e ministrit, personalisht në mirëkuptimin e kësaj strukture dhe përcaktimin e njerëzve, është bazë.

Kjo është një skemë e propozuar nga ministria?

Jo e propozuam ne. Kërkesa ishte shumë e hapur. Nuk ishte puna për të refuzuar njërin apo tjetrin, kjo do ishte e varfër, ndërsa strukturimi në këtë bazë e bordeve është më profesionale dhe unë propozova strukturat institucionale që duhet të bënin pjesë në të. Pastaj është e drejtë e titullarit të bëjë ndryshime.

Me ngritjen e bordeve do nisë puna për hartimin e kalendarit, ku do të kalojnë në proces selektimi projektet e propozuar nga...?

Të propozuar nga drejtoria. Tani këto ndryshime ndodhën mbasi për disa vepra kishim vendosur dhe më përpara, pavarësisht nga çrregullimet e rrugës. Por pothuaj të gjithë titujt janë shtruar në tavolinë, madje kanë kaluar dhe nga bordi i vjetër.

A do të ketë kompetenca bordi të përmbysë projekte të propozuar nga Drejtoria e Operës?

Tani s’ka më arsye ideologjike, që ka pasur në kohën kur komisionet e repertorit përmbysnin titujt. Këto tituj janë të gjithë shumë të njohur, dhe jam i bindur që bordi nuk mund ta fillojë punën me përmbysje por me detyra, të cilat për realizimit më të mirë të tyre, sidomos kur flitet këtu për një periudhë stine 3-4 mujore.

Pra kalendari i vitit të ardhshëm, i cili do të shtrohet në bord, do të ketë vend më shumë për hapësira diskutime. Por, nuk besoj se do të kalohet në përmbysjen e titujve.

Me nisjen e zbatimit të ligjit, si do të procedohet me këngëtarët, pasi deri tani ata punësohen, ndërkohë që skenat evropiane funksionojnë me audicione kur këngëtarët konkurrojnë për rolin dhe fitojnë sipas vlerave?

Lidhur me procedurën e veprave, takimet e para me bordin janë takime, të cilat do të miratojnë pikërisht kalendarin e kësaj periudhe dhe deri në fund të vitit të ardhshëm. Bordi ka për detyrë të përcaktojë kritere shpërblimi, të përcaktojë probleme të tjera të strategjisë që do shtrohen gjatë rregullores. Ndërsa lidhur me procedurat e audicionit ndryshimi me botën është vetëm ky; në botë, pothuajse në të gjithë teatrot nuk kanë organikë solistë të parë, të cilët jetojnë brenda teatrit, por atje shpallen titujt dhe vijnë nga të gjithë vendet për të konkurruar, me përjashtim të teatrove që kanë një grup të vogël solistësh të dytë, të vegjël, pjesa tjetër bëhet mbi zgjedhjet, mbi bazën e kontratës dhe marrëdhënieve të tjera.

Tek ne kjo gjë nuk mund të bëhet. Mbase Shqipëria është një vend i vogël. Të mos kesh solistë shqiptarë në teatër është sikur teatri mos të funksionojë. Por, tek ne gjithmonë bëhen audicione, ka data të shpallura për veprat që do të vihen. Ka ndodhur shpesh herë që studentë të Akademisë kanë konkurruar në audicionet tona dhe janë futur krahas Rozinës së Vikena Kamenicës. Kështu është bërë te opera Fausit e të tjera. Më pak i hapur audicioni është për baletin, për arsye se ka specifikën e tij.

Të rinjtë që mbarojnë Akademinë e Arteve gjithnjë kanë ëndërruar që të hyjnë në konkurrim si këngëtarë. Ju e quani të largët këtë ditë. Deri kur të vazhdojë Opera të funksionojë me kontrata pune, me artistë që punësohen?

Teatri do të mbetet i hapur për çdo lloj pjesëmarrje të të rinjve. Sot kemi fatmirësi por dhe një aspekt negativ në një farë drejtimi. Si mund ta kuptosh këtë? Mosha mesatare e teatrit tonë është me ndër më të rinjtë në botë. Njerëzit fillojnë të dalin në pension mbas dhjetë 15 vjetësh. Atëherë si do zgjidhet problemi që ata, të cilët aspirojnë në këtë profesion të gjejnë shprehjen e tyre? Unë mendoj se ky do zgjidhet duke forcuar projektet e të rinjve, me qëllim që ata të vijnë, pasi dhe struktura e brendshme e teatrit është e kufizuar, dhe për Shqipërinë kjo është e mjaftueshme. Por, institucioni ynë duhet të jetë i hapur për këtë. Marrja e njerëzve sa herë që trupa duhet zmadhuar, për shkak të përmasave të veprës, ka krijuar lidhjen me Akademinë e Arteve. Pastaj vjen faza tjetër që të rinjtë më të mirë duhet të kalojnë në filtrin e praktikës së asaj që është sot fondi i të rinjve, apo që mund të jetë Akademi e Operës, dhe kjo do të krijojë mundësi që në këtë akademi të mos jenë vetëm këngëtarët siç i kemi sot, apo disa balerinë apo instrumentistë, por të jenë edhe skenografë e regjisorë, të ketë dhe operatorë, e kostumografë.

Flitet për strategjinë e të rinjve, ndërkohë që këta duhet të kalojnë nëpër ca procedura që nuk ndihen të lirë për të konkurruar, por janë të varur nga institucioni, shteti - gjë që degjeneron shpesh për gjetjen e mikut te drejtori, pra te ju, apo Edit Mihalit, për t’u futur në punë - kjo ua humb shpresat për role ambicioze duke ecur gjithnjë me të njëjtën histori që “të mëdhenjtë” nuk preken deri sa të dalin në pension...?!

Emrat në të gjithë botën respektohen. Nuk ma ha mendja që një emri të madh në një vend tjetër i del përpara një fillestar. Kjo nuk ndodh në koncept sepse dhe vetë emri është bërë mbi bazën e aftësive dhe kontributit. Kështu që nuk është kjo rruga. Rruga për mua është që të rinjve t’u krijosh mundësinë të konkurrojnë dhe ata të fitojnë. Këtë nuk e vendos njëri, por një komision i brendshëm që merr pjesë në audicion që vendos, ku siç ka ndodhur. Mundet të jetë dhe mund mos të jetë drejtori, sepse ka shumë gjëra për të zgjidhur. Ka dy lloje komisione kontestimi në institucion që janë me parime të ndryshme për marrjen në punë, pra duhet të jenë njerëzit e brendshëm të sektorit, pasi ato duan të marrin kolegët e tyre më të aftë. Policia janë ata. Në rastin kur kemi të bëjmë me fitimin e një roli a diçka tjetër, këtu janë të tjerë njerëz që janë të interesuar për të ardhur më të mirët, siç është dirigjenti që drejton veprën. Këto janë komisione që ngrihen dhe funksionojnë në këtë mënyrë.

Ishim të detyruar për pyetjen e mësipërme, duke u nisur nga fakti se shumë të rinj kanë shkuar jashtë, dhe njohim promovime të suksesshme të tyre në skenat ku janë vendosur në botë duke konkurruar, ndërsa këtu janë lënë në hije, pothuaj nuk i kemi njohur...

Historia është e gjatë, nuk duhet përjashtuar dhe as nuk duhet hiperbolizuar. Se çdo njeri që shkon jashtë del i shkëlqyer dhe këtu nuk pat gjetur punë. Por, një teatër mban aq sa mund të mbajë një teatër. Arti operistik nuk mund të jetë pronë vetëm e një institucioni. Jemi shumë pak, nuk del mundësia. Por ka forma të ndryshme, janë programe bashkiake, programe rajonale, verore, dimërore që organizohen nga të tjerët. Një violinist që shkon në opera ai shkon vazhdimisht dhe në Radio, Akademi, ku të dalin 50-mijëlekëshat. Jo të gjithë këngëtarët do të marrin detyrimisht pjesë në korin e Operës, vetëm më të mirët mund të mbajë. Në opera ka vend edhe për të moshuarit dhe për të rinjtë. Në rast se do kishim një kor vetëm me të rinj, do ishte vështirë të mbushnin kostumin e tyre por dhe zërin. Duhet të parë ky problem nuk mund të lihet në dëshirën apo oreksin e një drejtori sado i prirur të jetë ai ndaj të rinjtë. Them se është një problem dikasteri, çfarë hapësirash do t’i japin këtyre. Nuk mundet që të gjithë të vijnë tek shteti e në një vend. Nuk ka pse në disa qytete të mëdha që kanë traditë kulturore, ku ka dhe institucione shtetërore teatrore dhe aktorë dhe këngëtarë, të mos kalohet në realizmin e një projekti operete, në mos një opere, apo një muzikal. Nuk ka pse të mos gjallërohet kjo jetë në rrethe, kur një kompani private i realizon këto.

Tani po flisni për një mentalitet të trashëguar të njerëzve që presin të punësohen në shtet?

Po. Akoma njerëzit nuk heqin nga mendja komoditetin, që presin që dikush të vendosë për emërimin e tyre dhe ata të futen në punë. Mentalitetin e hapjes së institucionit në maksimum. Në rast se brenda institucionit nuk është promovuar asnjë i ri, për këtë duhet t’i tërhiqet veshi drejtorit. Ky duhet të jetë skandal në Shqipëri.

Dimë që nuk keni marrëdhënie të mira me drejtorin artistik të Operës, dhe se ai ka përgatitur një raport, që pritet të bëhet publik, ku dalin në pah të gjitha problemet teknike të Operës, ku flitet për mungesë dhe raporte jo të drejta të zërave në Opera.

Ju jeni vënë në dijeni dhe sa qëndrojnë në realitet problemet e tij?

Unë kam respekt për përvojën e zotit Vorpsi, si instrumentist dhe si njeri i afërt në strukturën drejtuese të Teatrit. Evidentimi i shumë problemeve nga ana teknike si të thuash bëhet i drejtë, por ato duhen gjetur me strukturat e tyre, realizimin, dhe në përputhje me zhdërvjelltësinë menaxheriale. Është gjë shumë e mirë që trupat tona të dyfishohen nga pikëpamja e artistëve të kesh në teatër të gjithë llojet e zërave të këngëtarëve, të drejtuesve, dhe të jenë të aftë, asnjë nuk e kundërshton këtë. Jam plotësisht dakord. Por problemi është se, në Shqipëri këta janë. Ne na mungojnë zërat e basëve, zërat mashkullorë në përgjithësi. Dhe nuk është se unë nuk jam dakord me raportin, por nuk kemi njerëz. Njerëz të cilët mund të ishin pjesëtarë të stafeve artistike në teatër. Ne këtë e kemi zgjidhur duke marrë njerëz të aftë nga jashtë dhe duke e transformuar jetën artistike, mbasi në asnjë teatër të botës nuk drejton vetëm një, por ka alternativa. Asnjeri nuk i ka penguar të vijnë në teatër, por në kemi pasur mungesa, ndaj kemi qenë të detyruar t’i ftojmë nga jashtë.

Ju në një bisedë jeni shprehur se kjo periudhë në Opera ju ka lodhur, madje ju ka kujtuar vitin ’73, kur u detyruan të shkonit në punë prodhuese. Pse këtë paralelizëm, çfarë ka ndodhur me ju personalisht?

Çdo lloj krahasimi nuk është i drejtë në një farë mase, pavarësisht se nuk më kujtohet se ku mund ta kem thënë këtë lloj shprehjeje. Unë them se gjithçka varet nga klima ku njeriu punon. Nuk e quaj të drejtë asnjëherë politikën e mohimit. Ajo është e dështuar nga kushdo që të vijë, nga poshtë apo nga lart. Ashtu si unë asnjëherë nuk jam shprehur se: ajo çfarë është bërë para meje nuk meriton të vlerësohet, se me mua fillon historia e Operës. Përkundrazi kam respektin më të madh. Vetë festimi i 50 vjetorit të Operës kur sapo erdha, dhe tani kur opera mbush 55 vjet, kthehet në respekt për të gjithë njerëzit që kanë punuar këtu duke nisur nga drejtuesit e institucionit. Sigurisht secili ka vizionin e tij. Në këtë drejtim them se, nuk e meritoja mbi këtë nivel që të ishte kjo lloj përbaltje që m’u bë. Kjo ishte absurde. Përbaltja e njerëzve është diçka që i duhet kursyer kujtdo që ka punuar me ndershmëri në institucion.

Ju ka lodhur Pango, ministria apo Opera?

Unë tash nuk dua t’i personalizoj gjërat. Jam i gëzuar pasi shoh që do të kemi një të ardhme të mirë në Opera, do të rikuperohen këto gjëra. Mendoj se ajo që ka ndodhur ta konsiderojmë një ëndërr të keqe, në fund të fundit në këta pesë vjet gjashtë muajt më të varfra nuk është ndonjë kiamet i madh, se njerëzit nuk jetojnë me opera, por me probleme të tjera më të mëdha, dhe unë jam i bindur që gjërat do të shkojnë mirë, me ose pa mua.

Ju kur e keni ndër mend të largoheni nga Opera?

Unë do të largohem atë ditë kur komuniteti i artistëve dhe ata që më kanë në dorë të më thonë mjaft Zhani, deri këtu i pate energjitë dhe nuk ke çfarë jep më, në kuptimin tjetër të dëshirave që kam unë. Sepse ajo mund të ndodhë edhe nesër edhe nuk ka asnjë gjë. Dëshiroj që teatri të ecë, të realizojë edhe disa plane që kam në fushën e repertorit dhe së dyti të arrihet rikonstruksioni i teatrit që me largimin tim të jetë një institucion i cila ka ardhur në parametrat e kulturës ndërtimore dhe qytetare që ka vendi ynë sot.

Kjo do të thotë se nuk do ta përfillni ligjin e pensionit?

Jo, absolutisht. Ligji pensionit për mua është ligj zyrtar që respektohet dhe atë e vendosin ata që e kanë në dorë. Por, unë mendoj se do jem shumë i vlefshëm deri në atë moment dhe nuk do vijë rasti deri aty sa ditën e ditëlindjes sime, të them menjëherë të largohem nga këtu, kur ka shumë gjëra për të rregulluar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›