Negociatat te Presidenti, Meta shkon në Slloveni
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka “shmangur” Tiranën në ditën e takimit mes Sali Berishës dhe Edi Ramës në presidencë. Që prej ditës së enjte, Meta, së bashku me një pjesë të stafit të tij, kanë udhëtuar drejt Sllovenisë për shkak të takimeve që ishin parashikuar, por që kanë përkuar me një ditë të rëndësishme për politikën në vend. Faktikisht, qysh herët është përcaktuar se takimi do të duhej të ishte mes Ramës dhe Berishës, pasi bëhej fjalë për një ngërç të drejtpërdrejtë mes mazhorancës dhe opozitës dhe duket se kreu i LSI-së këtë herë e ka pranuar këtë pozicion, mazhoranca, pjesë e së cilës ai është, përfaqësohej nga Kryeministri Berisha. Megjithatë një përplasje e lehtë u krijua disa ditë më parë mes saj dhe Partisë Socialiste, lidhur me mënyrën e përfaqësimit të spektrit politik shqiptar në tryezën e shumëpritur. Fillimisht, deputeti socialist, Et’hem Ruka, deklaroi se nuk mund të ketë një takim në nivele të dyta, duke përcaktuar qartë se duhej të ishte Berisha dhe Rama përballë në tryezë. Kjo shkaktoi reagimin e LSI-së, e cila bëri me dije se PS nuk është në pozicionin që të vendosë kushte, por kjo parti inkurajon dialogun te Presidenti. Takimi i djeshëm ishte ndër takimet e rralla ku krerët e dy partive shkojnë te Presidenti pa pasur parti të tjera në tryezë. Në vitin 2007, Presidenti i atëhershëm thirri një tryezë kur merrnin pjesë të gjitha partitë parlamentare, mes të cilave edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Ndërkohë që në Tiranë janë hapur zyrtarisht negociatat, Meta në Slloveni ka vazhduar me axhendën e tij. Ai është pritur nga kryetari i Parlamentit slloven, Pavel Gantar. Mësohet se në këtë takim, Gantar është shprehur se Sllovenia do ta ndihmojë Shqipërinë që liberalizimi i vizave të bëhet brenda 2010-s. Sipas tij, Sllovenia mbështet zgjerimin e BE-së. Ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta, është shprehur se ky është një vit i rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen në integrimin euro-atlantik.
#